Suela Demiri tregon ngjarjen e pazakontë: ‘Më filmoi shoqja gjatë bisedave private’

Gazetarja Suela Demiri ka rrëfyer së fundmi një histori të pazakontë e të pakëndshme për të, duke treguar situatën që I kishtë ndodhur teksa ishte ftuar në kafe nga një shoqe e afërt.

Ajo theksoi se kishte dy muaj pa e takuar mikeshën e kjo e fundit kishte këmbëngulur për të pirë kafe. Teksa bisedonin lidhur me tema private, të përditshme por edhe familjarem Demiri tha se vuri re që ishte duke u filmuar dhe dëgjoi zërin e saj të regjistruar.

“E pabesueshme ajo që më ndodhi mua, sot. Ulem në kafe me një shoqe, dy muaj pa e takuar pasi këmbënguli me telefonata dhe më ftoi. Disa herë e vura re që e drejtonte telefonin sikur po më filmonte e disa herë e mohoi dhe unë e besova se kuptohet ishte përtej fantazisë që shoqja ime të më regjistrojë. Deri sa pa dashje ajo bëri playback dhe dëgjova zërin tim…” – shkruan moderatorja e njohur.

“Po flisnim për jetën time, problemet e mia, vajzën time. Bisedë tejet private që ajo po ia dërgonte një të treti.

Nuk munda dot t’ia fshi nga celulari. Ajo është fizikisht më e fortë se unë, por edhe shumë më agresive. Po fshihte personin kujt po ia dërgonte.

Ndihem e neveritur, e tradhëtuar, e mashtruar! Si ka mundësi që shoqja jote e afërt të spiunon?! E ndiej veten si personazh telenovele. Kaq poshtë kemi rënë si popull?! Ulemi të pimë kafe me miqtë dhe ndizen kamerat dhe mikrofonat???? Nuk ka më kod sjelljeje?? Etikë? Moral? Besë? Buka që ndajmë, kafja që pimë etj, etj.. !

Sa bukur e nisa të hënën! Shpall botërisht që Enver Hoxha nuk kishte faj, ne jemi një popull spiunësh. Më erdhi në mend komshia ime me telefon në pallat që në komunizëm telefononte te Radio Korça e thoshte: “Mos e merrni Suelën se e kishte gjyshin bej” dhe pas 90tës, telefononte e thoshte: “Mos e merrni Suelën në Radio se e kishte babain oficer!

Tani e tutje kush ulet ne kafe me mua duhet të fikë celularin. U bëra përgjithmonë me hije…””!– ka përfunduar gazetarja.