Suarez: Më larguan se isha shoku i Mesit, ja çfarë do bëj nëse i shënoj Barcelonës

Luis Suarez është i “plagosur” për largimin e tij nga Barcelona, por thotë se nuk do të festojë nëse u shënon katalanasve. “El Pistolero” flet pa doreza dhe tregon gjithçka që ndien në këto momente. “Unë kam kaluar vite të arta te Barcelona dhe kam respekt për tifozët. Sigurisht që nuk do të festoj, por do ta drejtoj gishtin te ndonjë person”, ka thënë fillimisht Suarez.

I pyetur për raportin me Leo Mesin dhe arsyet e largimit të tij, është më i drejtpërdrejtë. “Leo është miku im dhe kurrë nuk e ka mohuar këtë gjë. Ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi një raport special me njëri-tjetrin. Ndoshta nga kjo gjë e pësova unë. Mund të më kenë larguar sepse isha shoku i Leo Mesit. Nuk e di, por mënyra si më larguan nuk ishte aspak normale. Meritoja më shumë respekt, por tani është pjesë e së shkuarës.

Do të mbaj mend vetëm momentet pozitive që kalova te Barcelona dhe jo këto ngjarjet e viteve të fundit”, sqaroi sulmuesi. Më tej, ai foli për të ardhmen e Leos. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ai donte të largohej për ato gjëra që po ndodhnin në klub, por ekziston mundësia që të qëndrojë. E vetmja gjë që kjo të ndodhë është ndryshimi i drejtuesve dhe largimi i kupolës aktuale”, ka thënë Luis Suarez.

PANORAMASPORT.AL