“Strakosha është prototip”, trajneri i zbulon sekretet
Shqiptarët janë shtuar shumë së fundmi te Lacio dhe vit pas viti, drejtori Igli Tare merr elozhe për përzgjedhjet që ka bërë në rolin e drejtorit sportiv. Një prej goditjeve që ai ka bërë dhe që deri më tani rezulton sukses për bardhekaltrit, është portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha.
Së fundmi, elozhet për gardianin kuqezi vijnë nga njeri simbol i Lacios, Adalberto Grixhoni. Përgatitësi historik i portierëve të ekipit kryeqytetas ka komentuar Marko Alian, portierin e Kombëtares U-19 të Shqipërisë, por edhe gardianin titullar të Lacios, Thomas Strakoshën.
Në ditët e para të fazës përgatitore të Lacios, Thomas Strakosha mungoi për shkak të dëmtimit në tendinën e Akilit. Për këtë, trajneri Inzagi i dha mundësinë Marko Alias, portierit të ekipit të të rinjve të Lacios që të përgatitej me skuadrën A.
Grixhoni ka shpjeguar rreth situatës së portierit 19-vjeçar. “Alia është më i riu dhe impenjohet. Do ta shohim se si do të vazhdojë karriera e tij. Ka potencial për të bërë mirë”, ka thënë ai rreth shqiptarit.
THOMAS STRAKOSHA
Prej pak ditësh, Strakosha është bashkuar me ekipin e parë të Lacios, ndërkohë që gjatë verës ka pasur një program special rikuperimi nga përgatitësi Grixhoni. Ky i fundit, në analizën që i bën portierit të Kombëtares shqiptare ka vlerësuar cilësitë e tij.
“Strakosha përmirësohet ditë pas dite. Fizikisht, ai është prototipi perfekt i portierit”, tregon fillimisht ai rreth shqiptarit.
Më tej, përgatitësi prej vitesh i gardianëve në skuadrën bardhekaltër, ka treguar edhe cilësitë që i duhet të përmirësojë portieri kuqezi. “I duhet që të jetë më shumë padron i ajrit. Gjithashtu, të marrë më shumë pjesë në lojë. Sipas meje, mund të bëjë një karrierë të rëndësishme, pasi është gjithmonë i vëmendshëm dhe shumë i gatshëm”, ka deklaruar Adalberto Grixhoni rreth Strakoshës.
PORTIERËT
Më tej, ai ka vijuar edhe me disa teknika të nevojshme për çdo portier, duke treguar sekretet në bazë edhe të zhvillimit të futbollit apo edhe të rregulloreve të saj. “Me rregullat e reja, portieri duhet të ketë më shumë cilësi tekniko-taktike si dhe të marrë më shumë pjesë në lojë.
Nevojitet që të ketë shumë siguri dhe përqendrim maksimal, edhe për të ndërmarrë ndonjë rrezik më shumë. Dihet që portieri është pjesë e rëndësishme e skuadrës dhe nevojitet të ketë aftësi të mëdha për të lexuar lojën si dhe të jetë shumë aktiv gjatë saj”, ka deklaruar për “Lazio Style Channel”, Adalberto Grixhoni.