Stefi Prifti dy vjet pa Marinën: Një psikolog mund të më japë shpjegimin e këtij përjetimi…

Statusi i plotë i këngëtarit Stefi Prifti në dy vjetorin e ndarjes nga jeta të bashkëshortes Marina:
Sot ishte dita përkujtimore e ndarjes nga jeta të bashkëshortes sime Marina Xhavara Prifti. Ikën dy vjet…! Për çudinë time më duken më pak se kaq! Ka pasur raste gjatë kësaj kohe, që pyesja veten: Pse kjo ndjesi e tillë?! Normale do të ishte të ndjeja të kundërtën, të më dukeshin këto dy vite si një jetë… por jo! Për çudi, me mua ka ndodhur e kundërta! Më duken shumë më pak se dy vite! Ndoshta një psikolog mund të japë shpjegimin e këtij përjetimi! Natyrisht, unë dhe vajzat e mia shkojmë shpesh në Fier tek varrezat, por asnjëherë nuk kam menduar të shkruaj apo të postoj diçka më parë..! Arsyeja që më bindi ta bëj lajm, ishte kjo foto që më dërgoi në viber vajza ime Maria! Patjetër ajo (natyrisht edhe unë, dhe gjithë familja jone), ka dëshirën, që mami i saj Marina të kujtohet nga familjaret, shoqet e shokët, pedagogët kolegë dhe stafet akademike, ku Marina ka dhënë kontributin e Saj si pedagoge dhe studiuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe, nga studentët që e deshin dhe i donte kaq shumë. Falënderoj gjithë familjaret dhe miqtë që e pinë një kafe me mua sot. Ua shpërblefsha në gëzime! Për veten, nuk dua të flas, duke besuar mirëkuptimin tuaj!I paharruar kujtimi Yt, Marina! Dashuria dhe nëna e dy vajzave të mia.