Statistika që ‘gozhdon’ Mbappé e plas polemikat: zero asist për Messi e Neymar

Kylian Mbappé egoist. Sulmuesi i PSG-së është kritikuar shpesh për sjelljen e tij javët e fundit, dhe jo vetëm nga tifozët. Tani, ai përfundon përsëri në një vorbull polemikash për një statistikë. Statistika është një grafik, i publikuar në ueb, që gozhdon francezin dhe shpërthen kritikat.

Mbappé, Neymar dhe Messi formojnë një nga treshet më të frikshmne në botën e futbollit. E që të tre, në javët e para të sezonit të ri, kanë grumbulluar tashmë gola dhe asistime. Në internet është shfaqur një grafik që tregon numrat e tre lojtarëve nga gushti e deri më sot. Statistika nuk u pëlqeu fare tifozëve. Messi dhe Neymar kanë bërë nga tetë asiste secili në të gjitha garat. Argjentinasi i ka shërbyer Mbappé pesë herë dhe Neymar tre herë, ndërsa braziliani siguroi Mbappé tre asist dhe Messit dy herë. Kampioni i botës? Zero asist për Messin, zero për Neymar dhe zero për bashkëlojtarët e tjerë.

23-vjeçari luan në qendër, ndaj është e kuptueshme që detyra e tij është të shënojë më shumë. Por kjo nuk e ka shpëtuar nga kritikat. Tifozët mendojnë se ai duhet të mësojë të jetë më pak egoist dhe më shumë një lojtar skuadre: “Mbappé ka shkatërruar atë që mund të ishte një treshe e madhe”, shkruan dikush në rrjetet sociale. Një person tjetër shton: “Ky grafik është çmenduri”. Dhe pastaj përsëri: “Njerëzit dhe mediat po e shtyjnë atë të jetë një treshe si Messi, Luis Suarez dhe Neymar. Mund të jetë, por nuk është”. E në fund: “Këtu mund të ketë një problem”.

POLEMIKAT

Mbappé, në sezonin 2021-22, grumbulloi 17 asiste në 35 ndeshje, rezultati më i mirë i Ligue 1. Këtë vit ai thjesht mund ta ketë filluar paksa ngadalë. Lojtari, javët e fundit, është vënë në qendër të vëmendjes për shkak të tensioneve me shokun e skuadrës Neymar. Messi thuhet se po përpiqet t’i pajtojë të dy. E në kombëtare nuk është më mirë. Më parë, ai e gjeti veten të përfshirë në mënyrë indirekte në rastin e shantazhit që përfshiu Pogba. Pastaj, ai përfundoi në lajme për refuzimin e pjesëmarrjes në një sesion fotografik të Bleus, për shkak të problemeve të të drejtave të imazhit.