Speed Networking në One Telecommunications

One Telecommunications është një prej rekrutuesve më të mëdhenj në treg, duke synuar të tërheqë talentet më të mira. Por, për Departamentin e Burimeve Njerëzore të kompanisë One Telecommunications, sfidat nuk mbyllen vetëm tek punësimi i talenteve.

Ajo që vjen pas punësimit të një punonjësi është edhe më e rëndësishme për mbarëvajtjen e punës. Përtej integrimit të tyre në strukturat, procedurat dhe kulturën e kompanisë, më e rëndësishmja është nxitja e marrëdhënieve njerëzore, sepse, ky është edhe një nga elementet që e kthen një vend pune në një hapësirë miqësore.

Ndaj dhe One Telecommunications ka nisur programin e ri për shkëmbimin e përvojave dhe njohjeve të reja mes stafeve të reja dhe atyre ekzistues. Krahas njohjes formale dhe trajnimeve orientuese, punonjësit më të rinj të One Telecommunications, tashmë bëhen pjesë e programit “On(e)boarding”.

Një prej aktiviteteve që përfshin ky program është “Speed Networking”. Një aktivitet i tillë u zhvillua së fundmi në mjediset e kompanisë, ndërmjet punonjësve të rinj dhe punonjësve më të vjetër që tashmë janë ekspertë në fushat ku punojnë në One.

Marinela Benga, Menaxhere e Burimeve Njerëzore në One Telecommunications, teksa i uroi mirëseardhjen punonjësve të rinj në kompani, u shpreh se “Shkëmbimi i përvojave në One nga punonjësit e vjetër tek punonjësit e rinj, reflekton kulturën bashkëpunuese që kompania jonë ka. Puna nuk ka pse të jetë vendi ku kryhen vetëm detyrat profesionale, ai mund të jetë edhe vendi ku zhvillohen miqësi të reja.”

One Telecommunications përmendet vazhdimisht si një kompani me punonjës shumë profesionistë, por që dinë të argëtohen në maksimum. Në planet vjetore të kompanisë i kushtohet rëndësi e veçantë balancës mes punës dhe jetës personale, duke zhvilluar vazhdimisht aktivitete argëtuese për punonjësit e saj.

Me synimin për të qenë punëdhënësi më i mirë në treg, One Telecommunications integron në mënyrë të vazhdueshme praktika dhe programe të brendshme, të cilat nxisin kohezionin dhe produktivitetin e stafit.