Sot, Shqipëri-Estoni/ Largohen 11 lojtarë! Vrioni gati për debutimin si titullar, ja formacioni i mundshëm i Kombëtares
Shqipëria ka mbyllur dje përgatitjet, teksa ka zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore dhe ditën e sotme në orën 18:00 do të luajë takimin miqësor ndaj Estonisë.
Jemi në muajin qershor, sezoni ka mbaruar dhe shumë lojtarë kishin nevojë për pushime për shkak edhe të ngarkesës së madhe që kanë marrë gjatë gjithë kampionatit, por kemi edhe një pjesë të vogël që kanë sakrifikuar disi dhe do të jenë të gatshëm sot.
Siç bën me dije FSHF, 11 lojtarë janë larguar nga grumbullimi dhe ata janë:
Etrit Berisha, Nedim Bajrami, Ivan Balliu, Kristjan Asllani, Bekim Balaj, Marash Kumbulla, Klaus Gjasula, Berat Gjimshiti, Sokol Cikalleshi, Kastriot Dermaku dhe Ardian Ismajli.
EMRAT E RINJ – Me ndryshimet e djeshme, kanë mbetur 14 lojtarë nga lista e parë, ndërkohë që ka pasur edhe disa kuqezinj të rinj që i janë bashkuar ekipit A.
Gjithsej janë 5 futbollistë që do të jenë të gatshëm për sfidën e sotme:
Jon Mersinaj dhe Enis Çokaj, dy shqiptarët që luajnë në Kroaci, ishin në listën e pritjes së Rejës.
Ndërkohë që për herë të parë janë thirrur futbollistë si Simon Simoni, portieri i Dinamos, Kevin Haveri, mbrojtës i majtë që aktivizohet te Rimini, të dy të angazhuar me ekipin Shpresa dhe gjithashtu për herë të parë thirret Arbnor Muçolli, i cili luan në Danimarkë.
FORMACIONI – Deri në mbrëmjen e djeshme, ashtu siç u shpreh edhe vetë trajneri, në formacion do të ketë ndryshime.
Gjithashtu, ai tha se Veseli dhe Lenjani kanë dhimbje në fyt dhe do të shihet sot se si është gjendja e tyre.
Duke e nisur nga porta, Selmani dhe Kastrati janë në balotazh, ndërkohë në mbrojtje pritet që të rreshtohen:
Veseli, Mihaj, Hoxhallari. Në krahë mendohet që të luajnë Hysaj nga e djathta dhe Lenjani nga e majta, por gati është edhe i riu Haveri.
Në qendër të mesfushës do të jenë Ramadani, Çekiçi dhe Abrashi.
Në sulm do të debutojë si titullar Vrioni, i shoqëruar nga Broja.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL