Sot, nata e parë e Eurovision Song Contest 2019
Për të gjithë admiruesit e muzikës së lehtë, sot në mbrëmje nga Tel Avivi vjen një nga eventet më të shumëpritura muzikore, Festivali Europian i Këngës – Eurovision Song Contest.
Shqipëria, këtë vit përfaqësohet nga këngëtarja Jonida Maliqi, me këngën “Ktheju Tokës”, fituese e Festivalit të 57 të këngës në RTSH. Ajo konkurron në natën e dytë gjysmëfinale në datën 16 maj. “Është këngë rreth emigracionit, për çdonjerin nga ne! Por nuk është personale, është globale! Mos harro veten, mos harro rrugët, familjen, identitetin! Ky është mesazhi! Jam kaq e prekur, kaq krenare, që përfaqësoj Shqipërinë në skenën e Eurovizionit.” tha këngëtarja shqiptare me rastin e prezantimit. Maliqi do të jetë e 14-ta në rradhë, që është dhe kodi i votimit për këngën shqiptare.
Shqipëria si anëtare e EBU-së merr pjesë rregullisht që prej vitit 2004 në Festivalin Europian të Këngës. Prezantimi më i sukseshshëm i këngës shqiptare ka qenë ai i Rona Nishliut në vitin 2012 në Baku, me këngën “Suus”.
Organizatorët e Tel Avivit kanë premtuar shumë surpriza, ndër të tjera, dhe një performancë nga këngëtarja me origjinë shqiptare Eleni Foureira, e cila korri shumë sukses vitin e kaluar në Eurosong.
Sot në konkurrimin e natës së parë janë 17 shtete: Qipro, Mali i Zi, Finlanda, Polonia, Slovenia, Republika Çeke, Hungaria, Bjellorusia, Serbia, Belgjika, Gjeorgjia, Australia, Islanda, Estonia, Portugalia, Greqia dhe San Marino.
Festivali Europian këtë vit zhvillohet në datat 14, 16 dhe 18 Maj 2019. Rrjeti RTSH e transmeton direkt.