Sopranoja ruse Anna Netrebko shkarkohet nga Opera e New York pasi nuk dënoi sulmin e Putin ndaj Ukrainës

Sopranoja ruse Anna Netrebko është pezulluar nga Opera Metropolitan në New York këtë sezon dhe sezonin e ardhshëm, pasi nuk përmbushi kërkesën që të distancohet nga presidenti Vladimir Putin pasi ai sulmoi Ukrainën.

MET njoftoi se nuk do të punësonte më artistë që mbështesin Putin dhe Netrebko ka bërë ditët e fundit deklarata kritike për luftën, por ka qëndruar e heshtur ndaj presidentit rus, rizgjedhjen e të cilit ajo e ka mbështetur në të kaluarën.

“Është një humbje e madhe artistike për MET dhe për operën,” tha në një deklaratë Peter Gelb, menaxheri i përgjithshëm i kompanisë. “Anna është një nga këngëtaret më të mëdha në historinë e MET, por me Putinin që shkaktoi viktima të pafajshme në Ukrainë, nuk kishte rrugëdalje”.

Gjithsesi në fillim të javës Netrebko anuloi të gjitha performacat e saj duke përfshirë dhe atë në Barcelonë në “Gran Teatre del Liceu” më 3 prill. Në një deklaratë ajo tha: “Jam kundër çdo lufte të palogjikshme dhe agresioni prandaj i bëj thirrje Rusisë t’i japë fund. Kemi nevojë për paqe tani. Kjo nuk është një kohë për të performuar apo bërë muzikë, prandaj kam vendosur të tërhiqem nga performacat për momentin. Është një vendim shumë i vështirë për mua por e di që audienca do të kuptojë dhe respektojë vendimin”.

Netrebko pritej të performonte në operan e Giacomo Puçini “Turandot” në pranverë në New York, si dhe në atë të Giuseppe Verdi “Don Carlo” sezonin e ardhshëm. Ironikisht në të dyja edicionet ajo pritet të zëvendësohet nga soprano ukrainase Liudmyla Monastyrska.

Në vitin 2008, Netrebko ka marrë çmimin Artiste e Popullit të Rusisë nga Putin dhe në 2014 kishte dhënë një donacion prej 1 milionë rubla për operan e zonës separatiste Donetsk në lindje të Ukrainës.