Sokol Pepkolaj: Si e binda hollywoodiani-in Randall Paul të vijë në Tiranë si pjesë e “Parajsa e zezë”, dhe si iu dukën shqiptarët
Sokol Pepkolaj është artisti i veçantë nga Tropoja me eksperiencë kinematografike jashtë Shqipërisë, i cili është vendosur aktulisht në Tiranë për realizmin e një filmi të ri të titulluar “Parajsa e Zezë”. Para disa ditësh u zhvillua dhe audicioni i parë për përzgjedhjen e aktorëve, që solli në Tiranë hollywoodian-in që shquhet për karizmën dhe shikimin e mprehtë, Randall Paul. Filmi me skenar dhe regji të Pepkolaj do të jetë një prodhim për tregun ndërkombëtar, ndërkohë që të gjithë bëhemi kureshtarë për frymën artistike që të do sjellë artisti Paul. Pasi e njohim në filma si: “Eyes Wide Shut”, “Mission Impossible” apo “Four Weddings and a Funeral” Paul do të jetë pjesë e ekipit realizues të “Parajsa e zezë”, që sapo ka zhvilluar audicionin në Tiranë për përzgjedhjen e aktorëve shqiptarë. Detajet për vizitën e Randall në Tiranë, historinë e filmit dhe xhirimet i rrëfen për revistën “Story”, Sokol Pepkolaj.
Je shqiptari që ke sjellë në Tiranë, hollyvoodian-in Randall Paul, si pjesë e ekipit realizues filmit me titull “Parajsa e zezë”. Si ke rënë në kontakt me të, dhe çfarë shije i la atij prezantimi me shqiptarët?
Me Randall jemi njohur para tre viteve në Itali, ku po luanim një film dhe nga aty filloj zgjerimi i shoqërise tonë. Prezantimi me shqiptarët ishte fantastik, saqë ai mendon të rikthehet shumë shpejt sërish në Shqipëri.
Sapo keni zhvilluar audicionet në Tiranë për përzgjedhjen e aktorëve. Çfarë karakteresh kërkuat dhe a mbetet të kënaqur?
Përsa i përket casting-ut dhe pjesëmarrjes së artisteve kemi mbetur shumë të kënaqur. Karakteret që kërkoheshin ishin për talente pavarësisht janë aktorë apo aktore të mirëfilltë ose jo.
Pra aktorët e këtij projekti do të përzgjidhen nga veçantia, jo fama?
Siç e theksova edhe më sipër ka rëndësi veçantia e tyre më tepër se fama.
Pse titulli “Parajsa e zezë”, dhe a mund të na rrëfesh pak nga subjekti i filmit meqë je skenaristi dhe regjisori?
“Parajsa e zezë” sepse njerëzit bëjnë keq në këtë botë dhe mendojnë se shkojnë në Parajsë, por në fakt shkojnë në “Parajsë të Zezë” sipas meje. Kjo është dhe tematika e filmit.
Në skenat e filmit do të ketë luftë, dashuri, apo intriga e mafie. Si do të ndërthuren në një film?
Preferoj ta lë surprizë për publikun.
Filmi do të jetë më shumë dramë apo aksion, do t’na bëjë të na rrahë zemra fort, apo do përlotemi nga trishtimi?
Në film do të bëhet një ndërthurje mes dramës dhe aksionit, ku do na dhurojë pak nga të gjitha.
Çfarë rëndësi do të ketë qenia mashkullore dhe ajo femërore, pra si do të ndërthuren rrugët e tyre?
Në film do të jenë të ndërthurura të dyja gjinitë dhe do të kenë rëndësinë e tyre.
Çfarë të frymëzoi ty për të shkruar një histori të tillë, që të tërheqë edhe vëmendjen e kineastëve ndërkombëtarë?
Ajo çfarë më frymëzoi mua për ta shkruar skenarin është realiteti i hidhur, ku asnjë nuk po reagon kundër tij, dhe për të sensibilizuar njerëzimin kam menduar ta realizoj këtë film.
Dimë që xhirimet do të bëhen në Shqipëri. Mund të na zbulosh destinacionet që keni zgjedhur?
Siç e përmendët edhe ju, pjesa më e madhe e xhirimeve do të realizohen në Shqipëri, konkretisht në rrethinat e Tiranës dhe pjesa tjetër jashtë Shqipërisë.
Si mund të na e përshkruash një skenë të filmit që përfaqëson “Parajsën e zezë”, dhe si do të ishte një “Parajsë e bardhë” në imagjinatën tuaj?
Një skene e filmit “Parajsa e Zezë” është realiteti që jetojmë, dhe “Parajsën e Bardhë”, po mundohem ta sjell përmes këtij filmi.