Sokol Balla largohet nga Top Channel

Sokol Balla është larguar nga Top Channel, pas deklaratës së dyshimtë të premten e javës së kaluar.

Në fund të “Top Story” të premten, Balla tha: “[…] Shprehja duhej të ishte ‘Shihemi të hënën në orën 21:00’. Se kanë dalë dhe ca lajme nëpër portale që ‘Sokol Balla ikën në televizion tjetër’. Unë nuk iki në televizion tjetër, ose më saktë nuk dua të iki askund tjetër pasi e konsideroj Top-in shtëpinë time.”

Ditën e sotme, “Top Story” nuk u transmetua. Burime për Anabel.al zbulojnë se Balla mund të bëhet pjesë e ABC News.

“Si në çdo marrëdhënie tjetër njerëzore, marrëdhëniet janë dy palëshe. Në një marrëdhënie rrihet, nëse rrimë të dyja palët. Nëse njëra palë nuk do, tjetri duhet të largohet. Në këtë rast pala që do të rrijë, është e sigurt, jam unë. Do doja shumë të shiheshim të hënën, por edhe nëse nuk shihemi, nga unë Sokol Balla, natën e mirë dhe paçi fat,” tha ai të premten, duke lënë të nënkuptuar një mosdakordësi me drejtuesit e Top Channel.

Sokol Balla u rikthye në Top Channel në mars të këtij viti, pas pesë vitesh. Ai mori rolin e drejtorit të informacionit.