Socialistët synojnë të mbajnë Gjinushin kryetar të përjetshëm të Akademisë së Shkencave
Në një rast tjetër të ligjeve me porosi, dy deputetë socialistë kanë propozuar që kryetari aktual i Akademisë së Shkencave, për të cilin ligji është ndryshuar dy herë deri tani, të ndryshohet edhe një herë të tretë me qëllim që kufizimi aktual i numrit të mandateve të njëpasnjëshme të hiqet dhe, siç duket, Gjinushi të mund të marrë një mandat të dytë.
Deputetët socialistë Ismet Beqiraj dhe Petro Koçi propozuan së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë një ndryshim tjetër ligjor për Akademinë e Shkencave, ndryshimi i tretë në më pak se katër vjet, duke i hapur rrugën rizgjedhjes së kryetarit aktual Skënder Gjinushi për një mandat të dytë. Propozimi thotë se termi “por jo radhazi” në ligjin aktual, i cili lejon që një kryetar të marrë jo më shumë se një mandat vijues, të shfuqizohet. Heqja e këtij togfjalëshi, i cili duket se përbën një ndryshim tjetër ligjor “me porosi”, një praktikë kjo që bie ndesh me parimin e shtetit të së drejtës, ku ligjet nuk i përshtaten një indidivi apo një grupi njerëzish, i hap rrugën rizgjedhjes së Gjinushit pasi mandati i tij aktual mbaron më vonë këtë vit.
Në një relacion që dukshëm mbart disa gabime drejtshkrimore, propozuesit gjithsesi nuk e shpjegojnë se pse duan që kryetari aktual të ketë të drejtën të marrë një mandat të dytë ndërsa justifikojnë kërkesën për ndryshime me argumentin që, sipas opinionit të tyre, ligji ekzistues, i miratuar po nga e njëjta maxhorancë katër vite më parë, ka nevojë për përmirësime.
“Ligji i ri ndërtojë një Akademi të Shkencave të hapur drejt komuniteteve, [SIC]” shkruhet në relacion.
Maxhoranca socialiste deklaroi në vitin 2018 se do të reformojë Akademinë e Shkencave, një institucion të kohës së komunizmit, sepse kështu ishte e nevojshme. Ligji i ri solli zgjedhjen e Skënder Gjinushit, një politikani në pension, si kryetar të akademisë. Presidenti i kohës Ilir Meta refuzoi të mbajë ceremoninë e betimit të Gjinushit duke vënë në dukje faktin se ai është një politikan dhe jo shkencëtar. Socialistët ndryshuan ligjin në mënyrë që të mundësonin betimin e Gjinushit në kuvend dhe jo në presidencë.
Akademia e Shkencave u mbush pas kësaj me deputetë socialistë në pension, të cilët papritur filluan të prezantojnë veten si akademikë.
Gjinushi tërhoqi vëmendjen e publikut vitin e kaluar kur, në një ceremoni të organizuar nga akademia për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, mbrojti kongresin, i cili konsiderohet nga shumë si një proces orwellian i diktaturës komuniste që vrau pjesën më të madhe të gjuhës, duke cituar një libër të gjuhëtarit maltez, Manuel Zrinzo Caruana, i cili, siç duket, justifikonte procese të tilla të standardizimit të gjuhës si parakushte të shtetformimit. Problemi i vetëm, gjuhëtari në fjalë nuk ekziston. Libri në fjalë nuk ekziston gjithashtu. Ajo që ekziston është një blog sarkastik në blogun kolektiv Peizazhe.
Ndërsa studiuesit u çuditën jo pak nga paaftësia e kreut të Akademisë së Shkencave për të respektuar themelet e botës akademike, të tilla si citimi i burimit dhe verifikimi i burimit, zgjatja e mandatit të Gjinushit përmes një propozimi që mbart gabime drejtshkrimore, duket se përbën një ironi mbi ironinë. Për më tepër, nëse tradita e socialistëve për mbushjen e akademisë me deputetë në pension do të vijojë, ka gjasa që dy propozuesit e ligjit aktual do të jenë akademikë të ardhshëm. /birn