Skuadra e Premier Ligës flet portugalisht, mungon një mbrojtës për 11-shen e plotë

Lidhja e ngushtë me menaxherin e famshëm portugez, Zhorzh Mendez (i njëjti që mbron edhe interesat e yjeve si Ronaldo, Murinjo etj.), mik i pronarëve të Uolverhemptonit, ka bërë që klubi anglez të pushtohet nga luzitanët.

Në radhët e “Ujqërve” të Premier Ligës ekziston një koloni shumë e madhe iberikase, punë e nisur që nga sezoni i kaluar, kur Mendez parkoi aty 7 prej klientëve të tij, por sivjet numrat janë shtuar, pavarësisht edhe shitjes së sulmuesit portugez, Diogo Zhota, te Liverpuli. I fundit që iu bashkua “bandës” së Uolvesit është mbrojtësi i djathtë, Nelson Semedo, me ish-futbollistin e Barcelonës që kaloi në Angli për shumën e 40 milionë eurove.

Çmenduria është se aktualisht, në këtë skuadër, lojtarët portugezë janë jo pak, por 10. Aktualisht mungon vetëm një qendërmbrojtës që të kompletohet një formacion i plotë me të gjitha rolet luzitane, duke kujtuar se edhe trajneri Nunjo Espirito Santo është gjithashtu portugez.

Aktualisht, siç tregohet në foto, luzitanët janë: Rui Patrisio (portier); Nelson Semedo, Roderik e Ruben Vinagre në mbrojtje; Zhoao Mutinjo, Ruben Neves e Vitinja formojnë mesfushën; ndërsa Daniel Podenc, Pedro Neto dhe Fabio Silva janë trioja e sulmit.

Dhe me merkaton e cila do të jetë e hapur deri më datë 5 tetor e duke parë skuderinë e gjerë të futbollistëve që Zhorzh Mendez dhe kompania e tij e menaxhimit mbulon, ku i dihet, tek Uolvesi mund të zbarkojë edhe qendërmbrojtësi që do të mund të kompletonte totalisht 11-shen me kombësi portugeze.

PANORAMASPORT.AL