Skandali në Paris, Lorik Cana: Nuk është njësoj si në Beograd, por arbitri…

Lorik Cana ka thënë se ndërprerja e ndeshjes mes Paris SG dhe Bashaksehir, pasi arbitri ofendoi me fjalë raciste një pjesëtar të stolit turk, nuk ka të bëjë aspak me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Beograd më 14 tetor të vitit 2014. “Nuk kanë asnjë lidhje ngjarjet me njëra-tjetrën”, u shpreh Cana në Tring TV.

“Ky është rast i paprecedentë sepse revoltën e ka nisur një arbitër i katërt, që është zyrtari i UEFA-s. Kjo nuk ka ndodhur më parë. Nuk e di nëse të dyja skuadrat kanë refuzuar të dalin në fushë, apo vetëm njëra prej tyre. Duhet parë rregullorja dhe interpretimi që do t’i bëjnë.

Ajo që mund të them tani është që unë kam përshtypjen se arbitri mund të mos e ketë thënë me qëllim, por sërish është shumë e rëndë për një zyrtar të UEFA-s. Ai ka dashur të identifikojë ‘të ziun’ në fushë dhe mund të jetë shprehur gabim, por kjo nuk e shpëton nga përgjegjësia. Futbolli nuk është i tillë. Futbolli është shumë më i avancuar në luftën kundër racizmit. Se çfarë do të bëjë UEFA, kjo do të shihet”, ka thënë ish-kapiteni i Shqipërisë dhe ish-futbollisti i Paris SG.

PANORAMASPORT.AL