Skandali i përgjimeve në Greqi/ Mitsotakis: Mbajmë përgjegjësi, po të isha në dijeni s’do i kisha lejuar kurrë
Në një mesazh televiziv drejtuar kombit mesditën e së hënës Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka pranuar përgjegjësinë politike të çështjes së përgjimit të telefonit të kreut të partisë socialiste Nikos Androulakis nga shërbimi i inteligjencës së vendit në vitin 2021, duke theksuar se nuk ishte në dijeni të këtij procesi.
Ai tha se Shërbimi i Inteligjencës së vendit (EYP) kishte nënvlerësuar dimensionin politik të përgjimit të telefonave, një çështje formalisht adekuate, por politikisht e papranueshme.
Megjithëse kishte të bënte me një figurë të shquar politike, trajtimi ishte i paplotë. Pikërisht për këtë u largua menjëherë kreu i Inteligjencës. Ndërsa edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë pranoi përgjegjësinë objektive politike. Dhe duke ditur kuptimin e fjalës përgjegjësi, e përsëris drejtpërdrejt: Ajo që ndodhi mund të ketë qenë e ligjshme, por ishte një gabim. Nuk e dija dhe, padyshim, nuk do ta lejoja kurrë!
Kryeministri grek nga ana tjetër ka deklaruar se kontributi e Shërbimit Informativ Kombëtar është teëpr i rëndësishëm pasi reflekton gatishmërinë e Greqisë për të përballuar sfida të tilla si ato në Evros , Egje, në betejat diplomatike ,por edhe në betejën e përditshme të shoqërisë me terrorizmin dhe krimin.Ai ka theksuar se një rrëshqitje e gabuar nuk mund të errësojë një projekt me përfitim të konsiderueshëm kombëtar,ndaj ka paraqitur masa për përmirësimin e këtij shërbimi.
1. Forcimi i dhënies së llogarisë të Inteligjencës (EYP) dhe mbikëqyrjes nga parlamentit nëpërmjet Komisionit të Institucioneve dhe Transparencës.
2. Përmirësimi i rolit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për shfrytëzimin më të mirë të informacionit dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Mbrojtja e kornizës së përgjimeve të ligjshme për figurat politike.
4. Ndryshimet brenda Shërbimit për të forcuar kontrollin e brendshëm, transparencën, dhe trajnimin e burimeve të saj njerëzore.
Ndërsa Mitsotkis ka pranuar ngritjen e një komisioni parlamentar për hetimin e çështjes, opozita kërkon dorëheqjen e tij, pas një prej skandaleve më të errëta siç shprehet ajo, në historinë e popullit grek.
Përveç artikujve në shtypin e majtë grek dhe jo vetëm, që publikon edhe shifrat e mijëra personave që përgjohen çdo vit nga Inteligjenca greke,midis tyre dhe gazetarë, e përditshmja britanike Guardian e krahason skandalin me ditët e juntës ushtarake në Greqi, duke theksuar se kryeministri grek ndodhet në ditët më të vështira të udhëheqjes së tij.
Top Channel