Skandal në kombëtaren e Anglisë/ Dy futbollistët thyejnë rregullat anti-Covid dhe fusin në hotel dy vajza. Ja ç’do të ndodhë me ta

Phil Foden dhe Mason Greenwood janë përjashtuar nga ndeshja e radhës kundër Danimarkës, sepse thyen rregullat anti-Covid të vendit pritës dhe të UEFA-s.

Sipas “Icelandic” dhe mediave të tjera, futbollistët e akomoduar në një nga hotelet e kryeqytetit islandez, Reykjavik, futën brenda dy vajza për të festuar pas ndeshjes.

Ata i kishin takuar vajzat fillimisht në një ambient jashtë hotelit, larg nga vendi ku po qëndronte skuadra.

Përveç përjashtimit, sulmuesi i Manchester United dhe mesfushori i Manchester City, janë gjobitur nga policia lokale me 1,500 euro secili.

Si rezultat, pasojat në karrierën e tyre me skuadrën e “Tre Luanëve” mund të jenë të rënda.

20-vjeçari Foden, i cili është i martuar dhe ka një fëmijë 2-vjeçar, kërkoi falje publikisht pas skandalit:

“Kam ndjekur lajmet e publikuara në media dhe dua të kërkoj falje. Dua t’i kërkoj falje Gareth Southgate, shokëve të kombëtares angleze, stafit, tifozëve, klubit dhe familjes time”.

“Kur mora ftesën nga trajneri për këto ndeshje, reagimi im i parë ishte një ndjenjë krenarie. Të vishja atë fanellë dhe të debutoja për Anglinë, ishte një privilegj i jashtëzakonshëm. Jam lojtar i ri dhe dua të mësoj shumë, por ndërkohë kam shumë përgjegjësi duke përfaqësuar Manchester City-n dhe Anglinë. Mora një vendim të gabuar që nuk i përmbush pritshmëritë për mua”.

“Theva protokollin e Covid-19 dhe rrezikova veten time dhe shokët e ekipit. Si pasojë do të mungoj në ndeshjen kundër Danimarkës, dhe diçka e tillë të vret. Do të marr një mësim të fortë nga kjo pikë”.

Vajzat, të cilat u ftuan nga dy futbollistët, kishin postuar në llogaritë e tyre në Snapchat.

Sipas një burimi, njëra nga vajzat kishte shkruar: “Një e diele e zakonshme me ne. Ajo po prenotonte një hotel për të takuar kë?”, ndërsa tjetra i përgjigjet: “Mason Greenwood, jam e stresuar. Shumë e stresuar”.

Duke folur për një gazetar, njëra nga vajzat sqaroi: “Nuk kishim asnjë ide në lidhje me këto rregulla, ata kurrë nuk na thanë se ishte e ndaluar të bënim foto. Ne ua kemi dërguar atyre dhe i kemi vënë në dijeni, por ata nuk e kanë hapur ende mesazhin”.

Ajo shtoi: “E vetmja gjë që mund të them është se kam qenë duke komunikuar me njërin prej tyre për disa ditë. Nuk do të them se ku”.

Ndërkohë, vajza tjetër tha: “Nuk duam të diskutojmë për këtë, nuk duam t’i fusim ata në telashe”. Vajzat insistuan se fotot janë parë vetëm nga “miqtë e ngushtë”.

Raportet tregojnë se dikush ua ka punuar pas shpine, pasi i ka publikuar fotot për të gjithë.