“S’ishte e lehtë t’i afroheshe”, Hoxha për ekzekutimin me tritol: Ku iu vendos
Aleksandër Sadikaj, i cili u ekzekutua mesditën e të shtunës në Tiranë me eksploziv, kishte një tjetër biznes në Tiranë, përveç resortit në Memaliaj.
Gazetari investigativ, Artan Hoxha i ftuar ne “AbcLive” ka bërë të ditura detaje të reja lidhur me këtë ngjarje të rëndë, duke thënë se viktima kishte një lokal në zonën pranë rrugës “Irfan Tomini”.
Sipas Hoxhës, një ditë para ngjarjes viktima ka qenë në atë zonë, ku dyshohet se edhe i është vendosur sasia e eksplozivit.
Mes të tjerash gazetari Hoxha u shpreh, që autorët kanë qenë profesionistë dhe e kanë ditur sasinë e saktë të tritolit sa për ta eliminuar Aleksandër Sadikajn.
“Kishte dalë nga makina vetë. Ndihma e parë është dhënë nga persona të tjerë. Ai në spital ka arritur vonë. Mbase edhe mund të mbijetonte. Pamjet ishin shumë të frikshme. Pamje shumë të rënda”,-shprehet Hoxha.
“Nuk ishte e lehtë t’i afroheshe atij. Ata kanë gjetur garanci për të realizuar 100% këtë punë me eksploziv. Kanë vendosur një sasi eksploziv me një minë të tillë për të siguruar se ai nuk do mbijetonte”,-tha Hoxha.
“Autorët kanë pasur burime financiare të mëdha dhe burime njerëzore të mëdha. Kanë qenë shumë të motivuar”,-tha ai ndër të tjera.