Simon Sebag Montefiore: Ja romanet që më bënë të bie në dashuri me historinë
Historiani i famshëm bën një përzgjedhje të romaneve historike që e sjellin historinë të gjallë para nesh
“Zjarri nga Qielli”, nga Mary Renault (1969)
Mary Renault ishte një prozatore me bukuri pothuajse poetike, por ajo gjithashtu hulumtoi si një studiuese, duke risjellë fuqishëm botën e lashtë pagane të Aleksandrit të Madh. Në “Zjarri nga Qielli” – i pari në Trilogjinë e Aleksandrit – dhe më pas “Djali Persian dhe Lojërat Funerale”, ajo shkroi pa gjykim apo etikën e lodhshme të krishterë për kulturën greke, mizorinë e saj, kultet e saj dhe dashurinë brenda të njëjtit seks. Në duart e saj, Aleksandri i Madh dhe nëna e tij, Olimpia, bëhen sërish qenie të gjalla. Lidhja e dashurisë mes Aleksandrit dhe eunukut pers Bagoas në librin e dytë është shumë prekëse, e treguar përmes syve të djalit. Renault ndoshta ka frymëzuar Madeline Miller dhe të tjerë shkrimtarë më të vegjël, por librat e saj janë krejtësisht të përjetshëm, duke shkëlqyer sot, njësoj si ditën kur u shkruan.
“Të gjithë njerëzit e mbretit”, nga Robert Penn Warren (1946)
Thjesht, romani më i madh i politikës demokratike i shkruar deri sot. Ky rrëfim fitues i Pulitzerit për ngritjen drejt pushtetit të një populisti cinik bazohet në historinë e vërtetë të senatorit demagog të Luizianës, Huey Long, i cili dominoi shtetin e tij dhe në një moment dukej se ishte kandidat për diktator të Amerikës, deri kur u vra në vitin 1935. Willie Stark, “Bosi”, siç shihet përmes syve të narratorit, spin doktorit të tij, është një personazh magjepsës.
“Leopardi” nga Giuseppe Tomasi di Lampedusa (1958)
Leopardi, i shkruar nga Princi i fundit i Lampedusës, i cili vdiq një vit para se të botohej, mund të pretendojë se është romani më i madh modern italian. Ai rrëfen krizën e një aristokrati siçilian të shekullit të 19-të, që jetonte në pallatin e tij me gruan, familjen dhe dashnoret e tij, gjatë Rilindjes. Bashkimi i ardhshëm i Italisë do të rrëzojë në mënyrë të pashmangshme rendin e vjetër, të mishëruar nga Princi i Salinës.
“Tre musketierët”, nga Alexandre Dumas (1844)
Alexandre Dumas, djali i një gjenerali revolucionar me racë të përzierë, shkroi dy nga romanet më të mëdha aventureske, “Tre musketierët” dhe historinë tipike të hakmarrjes, “Konti i Monte Kristos”. Të dyja janë rrëfime magjepsëse me personazhe të paharrueshëm që kapin momente mahnitëse në historinë franceze. Muskëtierët rrëfen intrigat e oborrit midis rojeve të Luigjit XIII, duke përfshirë të riun në duel d’Artagnan dhe ministrin e mbretit Richelieu. Ai gjithashtu përmban një antiheroinë magjepsëse, Lady de Winter.
“Bizanti mban” nga Michael Moorcock (1981)
Michael Moorcock është një nga romancierët më të mëdhenj britanikë të pasluftës. I pamundur për t’u kategorizuar, ai ishte një pionier i fantazisë dhe fantashkencës, por gjithashtu ka shkruar romane të mahnitshme historike. “Bordello në Rosentrasse” është shkruar si një kujtim i aristokratit libertin gjerman, i cili strehohet gjatë një lufte të shekullit të 19-të, në një bordello. Megjithatë, Kuarteti i tij magjepsës Pyat, duke filluar me “Bizanti mban”, është edhe më i egër. Ai ndjek jetën e tmerrshme të kolonelit Pyat, një hebre antisemit mashtrues, i lindur në Kiev, gjatë viteve ndërmjet luftërave.
“Përrallë për dy qytete”, nga Charles Dickens (1859)
Ky roman i rrallë historik i Charles Dickens është, mendoj, një nga më të mëdhenjtë e tij, që tregon historinë e Terrorit në Revolucionin Francez dhe cinizmit të paturpshëm të Sydney Carton dhe shpengimit të tij final. Ai përmban rreshtin e parë më të mirë të shkruar ndonjëherë në letërsi: “Ishte koha më e mirë, ishte koha më e keqe, ishte epoka e mençurisë, ishte epoka e marrëzisë, ishte epoka e besimit, ishte epoka e mosbesimit…”.
“Meridiani i gjakut”, nga Cormac McCarthy (1985)
Meridiani i gjakut, studimi tronditës i së keqes dhe mizorisë,
ndjek një grup gjuetarësh skalpi në vitet 1840. Burrat gjejnë kënaqësi në vrasjen e indianëve të Amerikës të cilët i gjuajnë përtej trojeve kufitare të Meksikës dhe Amerikës. Ylli i errët i librit është psikotiku Gjykatësi Holden, i cili mbetet me ty, edhe shumë kohë pasi të kesh përfunduar librin. Ai ndan vendin e tij me romanin tjetër të madh të pushtimit të kufirit amerikan…
“Pëllumbi i vetmuar”, nga Larry McMurtry (1985)
E vendosur në vitet 1870, kjo është historia e dy pionierëve, pensionistëve të Texas Rangers Woodrow F. Call dhe Gus McCrae. Ata u nisën për të shoqëruar një tufë bagëtish nga Teksasi në Territorin e ri të Montanës, një udhëtim me rrezik dhe aventurë të madhe. Gus është një nga personazhet më të dashur në letërsinë amerikane, por historia – e para në një seri prej katër romanesh – sjell në jetë një periudhë të tërë të historisë amerikane.
“Konti Belisarius”, nga Robert Graves (1938)
Robert Graves rikrijon historinë e oborrit bizantin të shekullit të 6-të, të perandorit Justinian. Ai rrëfen për xhelozinë e perandorit për paladinin e tij të shkëlqyer, Belisariusin, për të cilin ai ka nevojë, por e persekuton. Është një roman i fokusuar në familjen, pushtetin dhe vrasjen, i rrëfyer nga një skllav eunuk dhe plotëson kryeveprat e tjera të Graves, “Unë, Claudius” dhe “Claudius Perëndia”, të cilët rrëfejnë dinastët Julio-Claudianë, Augustus, Tiberius dhe Caligula të aftë, ambiciozë dhe të çmendur, të parë nga sytë e sakatit gagaç Claudus, i cili bëhet edhe vetë perandor.
“Zot dhe Komandant” nga Patrick O’Brian (1969)
Ky është i pari në serinë më të mirë të romaneve historike. Të vendosura gjatë luftërave të Napoleonit, këto 20 romane paraqesin aventurat e oficerit detar me zemër të thjeshtë, por jashtëzakonisht të guximshëm Jack Aubrey dhe mikut të tij më të mirë, spiunit magjepsës dhe mjekut Stephen Maturin. Secili roman është emocionues dhe tërheqës, duke hedhur dritë mbi egërsinë e luftimeve detare. Por mbi të gjitha ata lartësojnë një nga miqësitë e mëdha në letërsi (Keith Richards, i cili i pëlqente romanet, tha se i kujtonte marrëdhënien e tij me Mick Jagger).
“Nana” nga Émile Zola (1880)
Ky është vetëm njëRi nga cikli i 20 romaneve të Émile Zola për një familje të vetme në Perandorinë e Dytë Franceze të viteve 1852-1870. Nana është dekada përpara kohës së saj, një histori zemërthyese, e pacipë dhe nganjëherë erotike e një vajze të bukur që ngrihet për t’u bërë një nga kurtizanet e pasura dhe famëkeqe të Parisit të Napoleonit III. Rritja e saj në famë dhe pasuri dhe rënia e mëvonshme ndjek fatet e perandorisë. Zola e realizoi duke intervistuar kurtizanet.
“Marshi i Radetzkyt”, nga Joseph Roth (1932)
Një studim i natyrës kalimtare dhe aksidentale të jetës dhe suksesit, ky është një portret i familjes Trotta në perandorinë austro-hungareze në kohën e rënies së saj. Togeri Trotta rrëzon perandorin Franz Joseph nga kali në Betejën e Solferinos në vitin 1859, por në një nga ato veçoritë e çuditshme të jetës emërohet baron si një shpërblim për shpëtimin e jetës perandorake. Ngritja e tij përfundimisht çon në rënien e familjes së tij, duke reflektuar rënien dhe plakjen e perandorisë. “Hoteli Savoy”, libri më pak i njohur i Joseph Roth-it (1924) rikrijon kaosin dhe frikën e rënies së perandorive të pasluftës përmes jetës së aventurierëve që qëndrojnë në një hotel në Lodz. Të dyja janë histori të shkëlqyera.
”Jeta dhe fati”, nga Vasily Grossman (1980)
Kjo është histori, njësoj si “Lufta dhe Paqja” e Bashkimit Sovjetik, e shkruar fshehurazi në 1959 gjatë sundimit të Stalinit nga një gazetar lufte, por nuk u botua deri në vitin 1980. Vasily Grossman përdori përvojat e tij për të krijuar këtë roman të gjerë, me nuanca morale të luftës dhe vdekjes të vendosur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Falë konfliktit në Ukrainë, ai është bërë sërish tej mase aktual.
“Një vend më i sigurt”, nga Hilary Mantel (1992)
Edhe pse Hilary Mantel është më e njohur për trilogjinë Wolf Hall, ajo e përsosi mënyrën e saj të rikrijimit të së kaluarës në librin “Një vend më i sigurt”, një vështrim nga afër i një grupi radikalësh gjatë Revolucionit Francez. Ne ndjekim Robespierre, Danton, Desmoulins dhe shumë të tjerë në ngritjen e tyre nga provincat në pushtetin suprem, më pas rivalitetin vicioz dhe vdekjen. U mahnita kur e lexova për herë të parë; është ndoshta edhe më i mirë se Wolf Hall.
“Restaurimi”, nga Rose Tremain (1989)
Robert Merivel është një shok dhe doktor epshor që i afrohet Charles II, oborri i egër i të cilit portretizohet në mënyrë të shkëlqyer nga Rose Tremain. Problemi i zakonshëm me romanet historike është se figurat reale mund të lënë në hije personazhet e sajuara, por ky nuk është problem këtu; Merivel-i i dashuruar për argëtim madje arrin të shkëlqejë më shumë se Charles II shakator. I mrekullueshëm.
“Gjysma e një dielli të verdhë”, nga Chimamanda Ngozi Adichie (2006)
Ky roman modern tregon historinë e luftës civile në Nigeri përmes jetës së ndërthurur të motrave binjake nga një familje e privilegjuar, një profesor, një shërbëtor dhe një emigrant britanik. Si një studim i kaosit të luftës, si dhe një portret i dashurisë dhe familjes, romani i Chimamanda Ngozi Adichie është i vështirë për t’u lënë pa lexuar.
I fundit dhe ndoshta më i madhi nga të gjithë
“Lufta dhe Paqja”, nga Leo Tolstoy (1869)
Një sagë familjare, një roman lufte që arrin kulmin me pushtimin e Rusisë nga Napoleoni dhe betejën e Borodinos, një studim i funksionimit të historisë me një kast të madh personazhesh të sajuar, si dhe Boney dhe gjenerali i vjetër dinak Kutuzov, Lufta dhe Paqja është për disa romani më i madh i shkruar deri më tani. Për ata që e kanë lexuar tashmë, novela e Leo Tolstoit “Haxhi Murati” (1912) ia vlen të zbulohet. Është një histori e jashtëzakonshme tradhtie dhe konflikti e vendosur gjatë përpjekjes së Rusisë në mesin e shekullit të 19-të për të zbutur myslimanët e Kaukazit. Ai përmban një portret të Nikollës I, carit që ndoshta i ngjan më shumë Putinit. Edhe një herë, është një libër në kohën e duhur. / The Times – Bota.al