Si Zhaku shpëtoi martesën dhe pse ekspertët e këshillojnë këtë praktikë
Inida Kreuz (Gjata), e njohur si Zhaku, dhe partneri i saj gjerman, Christian Kreuz, përjetuan një periudhë ndarjeje dy vite më parë, por ia dolën që ta shpëtonin martesën e tyre. Në një intervistë në “Soiree”, Christian u shpreh se njerëzit ndryshojnë, por jo gjithmonë në të njëjtin drejtim.
“Ju e dini që njerëzit ndryshojnë, të gjithë ndryshojmë. Por jo gjithmonë në të njëjtin drejtim. Me distancë, kur merr një farë kohë për të reflektuar, sheh më qartë.”
Në vijim, Inida shtoi se “të qenit vetëm” e ka ndihmuar shumë.
“Do të doja t’ua sugjeroja të gjithëve, sepse mendoj që krizat në çift, sidomos në marrëdhëniet afatgjata, janë të vazhdueshme dhe të zakonshme. Në momente të caktuara, kur je shumë i nxehur, mbase merr edhe vendime radikale, të nxituara. Por reflektimi [ndihmon]. Të qenit vetëm, distancimi, na bëri të kuptojmë difektet tona, sepse para se të vëmë gishtin te tjetri, duhet të shohim problemet te vetja.”
Ajo u shpreh se të qenit vetëm e ndihmoi të mos i gjykonte gjërat në mënyrë subjektive.
Suzanne Degges-White, një profesoreshë në Universitetin e Illinois dhe këshilltare e licensuar për punën me individë dhe familje, e vlerëson këtë praktikë si shumë të rëndësishme për të patur marrëdhënie të shëndetshme.
“Kur mendojmë për frazën ‘marrëdhënie intime’, zakonisht mendojmë për praninë e intimitetit midis dy personave. Intimiteti ka të bëjë me transparencën, vërtetësinë dhe cenueshmërinë. Bëhet fjalë për heqjen e maskës që mbani dhe fortesën që keni ndërtuar për të mbrojtur zemrën, vetëvlerësimin dhe ndjenjat. Ka të bëjë me lejimin e dikujt që të shohë pamjen e plotë 360 gradë se kush jeni, ku qëndroni dhe ku keni probleme. Dhe është shumë normale që kjo gjë të jetë sfiduese,” – shkruan ajo në një artikull për Psychology Today.
Degges-White e quan rëndësinë për të qenë vetëm si “intimiteti i vetvetes” dhe ka të bëjë me gjetjen e kohës për të reflektuar dhe për të kuptuar se kush jeni.
“Vetë-reflektimi ju ndihmon të rilidheni me personin që jeni (ose ishit) në marrëdhënie. A i keni bërë ndonjëherë vetes pyetjen: “A jam unë dikush me të cilin do të doja të isha?” Njohja e aspekteve të vetes që pengojnë marrëdhëniet me të tjerët – dhe veten – është hapi i parë për t’i hequr ato.”
Ajo thekson se “vetë-reflektimi dhe vetmia kanë të bëjnë me pranimin e asaj që është e vërtetë dhe përcaktimin e asaj që ju doni të mos jetë më.”