Si u bënë kaq të njohura fotot me “fustan fluturues” në Romë?! Njihuni me fotografen shqiptare që po magjeps turistët

Sete fotosh dhe video artistike të realizuara në pikat më të mrekullueshme të Romës në Itali, kanë tërhequr vëmendjen e ndjekësve në rrjetet sociale për ngjyrat dhe magjinë e tyre.

Fotografja që i realizon është shqiptare, dhe quhet Jorida Hoxha.

E lindur dhe e rritur mes Beratit e Kuçovës, (qytetet nga vijnë prindërit e saj), Jorida tashmë jeton në Itali. E laureuar në “Scienze del educazione”, pranë Universitetit Roma tre, Jorida fillimisht ka punuar 4 vite në profesionin për të cilin është diplomuar, për të hequr dorë më pas pasi ndjeu që kjo nuk ishte rruga e saj.

“Dashuria, pasioni, ëndrra ime ishte fotografia dhe iu përkushtova asaj. Kam bërë kurse të ndryshme dhe kam studiuar shumë vetë për të arritur këtu ku jam sot. E pasioni im më i madh janë udhëtimet, po edhe kjo lidhur me fotot”, tha fotografja Hoxha për “Story”.

Më tej duke folur për fotot e videot ku dominojnë ngjyrat, ajo tha: “Stili fotografik që preferoj është peizazhi dhe natyra, dhe pëlqej t’i fotografoj personat në harmoni me natyrën. Adhuroj po ashtu dritat natyrale. Sa i përket fabulës së seteve fotografike, ato janë në stilin romantike – përrallore. Dua që personat që fotografoj, nëpërmjet këtyre fotove të jetojnë përrallën e tyre, ndërkohë që ka pak muaj që kam nisur të bëj “flying dress” (fustan fluturues) me stilin tim”, tregon ajo.

Po si u bënë kaq të njohura fotot e saj me “fustan fluturues” në Romë? Fotot e kthyera në një trend për turistët që shkelin Romën, realizohen pikërisht nga fotografia shqiptare, e cila ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale. Qielli blu i ndritshëm, muret e bardha apo të hirta dhe një fustan ngjyrë rubin (apo të tjera ngjyra të forta), që rrotullohet në mënyrë elegante në erë, janë gjithçka që shihet në këto foto artistike.

Këto imazhe, të njohura si fotot e ‘flying dress’ (fustanit fluturues), nisën të realizoheshin në ishullin piktoresk grek të Santorinit, dhe që atëherë janë bërë të njohura në pika të tjera turistike si; Dubai, Tulum, dhe Itali, etj. /www.story.al