Si mori fund historia e çiftit? Djali i Pirro Çakos dhe Inva Mulës ndahet nga e dashura franceze, rrëfimi i sopranos për ish-pretendenten për nuse
Ishte janari i vitit 2017- të kur Anthony Çako, djali i artistëve Inva Mula dhe Pirro Çakos, prezantoi për herë të parë të dashurën franceze, një bionde misterioze e shumë interesante.
Mes fotosh ai shkruante ‘Unë dhe e dashura ime’, duke e konsideruar veten të lidhur në “Instagram”-in e tij, ku bie në sy për postimet bardhezi, ku ekspozon fizikun plot tatuazhe.
E verën e atij viti, Anthpony tashmë që i ka kaluar të 25-at, e solli partneren për pushime në Shqipëri, ku u prezantoi me familjen e nënës Inva, dhe babait Pirro, tashmë të divorcuar. Anthony ra në sy me prezencën e tij në plazhin e Dhërmiut, pasi shfaqej i burrëruar, gjithë muskuj e tatuazhe.
Pas disa ditësh pushime në Qerret, Anthony ishte stacionuar në Jug me të dashurën e tij franceze, Marien, një bionde super elegante dhe e veçantë. Të dy të dashuruarit binin shumë në sy për mënyrën se si silleshin me njëri-tjetrin, plot konfidencë dhe përkëdhelje. Flitet se ata ishin njohur në Paris, qyteti ku Anthony vazhdon të jetojë, pavarësisht se të ty prindërit pas divorcit e lanë Francën dhe u kthyen të jetojnë në Tiranë, i pari Pirro dhe vite më vonë, Inva.
E në këto katër vite, lidhja e Anthony-t me Marien ishte ndër më të bukurat, pasi ia shprehnin në çdo moment dashurinë njëritjetrit me postime nga më intimet. Tashmë ata kanë fshirë gjithçka nga historia e tyre e pazakontë, që të kujtonte fiks kinemanë franceze, shumë skena dhe pak fjalë. Anthony, i cili ka lindur në Paris (Francë), flitet se i ka lënë studimet në Londër, ku ndiqte shkollën në degën e muzikës, profesioni i dy prindërve të njohur.
Por kjo gjë mbetet një thashethem, përderisa nuk e ka rrëfyer vetë ai. Në fakt, këtë ndryshim e paralajmëroi nëna e tij, Inva, gjatë intervistës së gjatë dhënë për emisionin “Kontrata” të Sonila Meços, para disa vitesh. Ajo çfarë bëri përshtypje ndër vite ishte transformimi i Anthonyt, nga një djalë klasik në një rebel me muskuj e tatuazhe.
Më pas u komentua si djali që nuk njeh tabu, pasi publikoi në “Instagram” foton më intime me të dashurën franceze, Marien. Ajo topless dhe ai i zhveshur nga tualeti ishte poza që dikush tjetër do të kishte e menduar shumë herë për ta postuar. Por dukej se Anthony preferonte të bënte të njëjtën gjë si këngëtari i famshëm Justin Bieber dhe partnerja e tij Hailey Baldwin.
Artisti që po punon të hyjë në tregun ndërkombëtar me muzikën elektronike, në fillim u përpoq të qëndronte larg famës, por tashmë ka ndryshuar mendim, pasi dëshiron të bëjë bujë në të gjitha mënyrat. Ai e prezantoi të dashurën e tij bionde në 2017-n dhe për katër vite, ata ishin ndër çiftet më interesantë në rrjetet sociale.
Për Marien foli edhe Inva pak kohë më parë nga pozitat e vjehrrës së ardhshme, e cila e konsideroi atë si vajzën tipike franceze, e cila është aq indiferente sa nuk të vë re fare kur kalon. Edhe pse lidhja e tyre ishte shumë e bukur, ata patën krisje edhe më parë në një moment dhe fshinë fotot, por nuk vonoi shumë dhe u rikthyen me postime edhe më të bukura në “Instagram”. Le të shohim se do të kenë një rikthim tjetër, apo kësaj here e kanë mbyllur me kaq si dy tipa të njëjtë që shtyhen.
Anthony hyri në muzikë me këngën ku rrëfeu historinë personale, si shpëtoi gjallë pas ndodhisë tragjike, ndërkohë para dy vitesh bëri edhe një rrëfim dramatik për jetën e tij, pasi për pak i kishte shpëtuar vdekjes, histori personale që vendosi ta përjetësojë në këngën e tij të parë me titull “Alive” (Gjallë). Ai publikoi klipin me emrin e artit Tchako Music, ku binin në sy skenat fantastike, duke e sjellë veten si njeriu i parë dhe i vetëm i natyrës, që përballet me magjinë dhe rrezikun e së panjohurës.
Në skenat e fillimit të klipit nuk mungonin as kornizat e fotove familjare, ndërkohë që ai i binte pianos, imazhe këto që i jepnin klipit edhe më shumë nota autobiografike. Kështu, Anthony Çako, i lindur dhe rritur në Paris, preu me këtë klip në 2019- ën shiritin e inaugurimit të hyrjes në muzikë, duke ndjekur kështu rrugën e prindërve apo gjyshërve të tij.
Edhe pse në një rrymë tjetër muzikore, në atë elektronike, Anthony mund të themi se ka pamjen e tij shumë klasike sa i takon stilit të të kënduarit dhe veshjes. E për këtë produksion të parë ai u pyet nga ndjekësit se ku është frymëzuar për këtë këngë dhe si pa dashje ka zbuluar një ngjarje të rëndë, që për pak do t’i merrte jetën.
“Nuk kisha asnjë titull për këngën dhe unë me përfaqësuesit e shtëpisë diskografike udhëtuam jashtë Parisit për të regjistruar videon. Kur u kthyem nga udhëtimi, avioni për pak u përplas, kështu që vendosëm ta quanim këngën ‘Alive’ (Gjallë),”- shkroi ai. Kënga u publikua disa muaj pasi ai provoi për herë të parë magjinë e skenës së Pallatit të Kongreseve në Tiranë, ku bëri debutimin e parë si këngëtar, i ftuar në Festivalin e Këngës.
Finalja e Festivalit të Këngës në RTSH kishte një moment surprizë, atë të ngjitjes në skenë të Anthony-t, djalit të Invës, sopranos dhe drejtoreshës artistike të atij edicioni të Festivalit. Në atë prezantim të parë u shoqërua nga babai i tij, kantautori i njohur Pirro Çako. Djali i artistëve erdhi me performancënhomazh për gjyshin e tij Gaqo Çako, që u nda nga jeta pak vite më parë.
/Panoramaplus.al