Si jetoi normalisht në shtëpinë ku kishte murosur Siborën? Psikologia tregon profilin e vrasësit: Lulet në trupin e saj i la sepse…

Autoritetet italiane kanë kërkuar informacion nga ato spanjolle, për hetimet ndaj Marco Romeo-s, 45-vjeçarit nga Nettuno (Romë), i akuzuar për vrasjen e partneres spanjolle Paula dhe italo-shqiptares Sibora Gagani. Të dyja vrasjet ndodhën në Torremolinos, Malaga të Spanjës.

Teksa familja e Siborës, e cila rezultonte e zhdukur prej 2014-s, mbetet në pritje të testit të ADN-së, për të qenë të sigurt se trupi i gjetur i murosur në apartamentin ku kishte jetuar 9 vjet më parë i përket asaj, vrasësi i dyshuar mbetet në burg. E pikërisht nga qelia në Spanjë dalin detajet e para të profilit psikologjik të 45-vjeçarit.

45-vjeçari, sipas asaj që raportojnë mediat në vendin fqinj, është një person “tipik abuziv i substancave, me një mungesë të theksuar kontrolli ndaj impulseve e ndërlidhur me xhelozinë dhe tipare të dukshme antisociale”. Kështu të paktën shprehet ekspertja spanjolle e Kolegjit Zyrtar të Psikologjisë, Mariela Checa. Pikërisht ky profil bën që autoritetet të kenë dyshime se mund të ketë kryer krime të tjera dhe në Itali, hetuesit po ekzaminojnë zhdukje të tjera të ndodhura në zonën e Nettuno dhe në provincën e Romës, pas së cilave mund të qëndrojë dora e dhunshme e Romeo-s.

Ky profil po ashtu shpjegon edhe sesi është e mundur që bënte një jetë normale, prej zhdukjes së Siborës e cila ishte 22-vjeçe, në Korrik të 2014-s, duke e ditur që trupi ishte në një kuti prej druri, e murosur në shtëpinë ku jetonin bashkë. Kjo sjellje, në terma psikologjikë, lidhet me amnezinë disociuese, që është një mënyrë për t’u mbrojtur mendërisht, shpjegon ekspertja. Kjo amnezi, mund të shfaqet tek pacientë që kanë jetuar një ngjarje dramatike dhe bën që ajo ngjarje të bllokohet totalisht nga truri i tyre dhe në këtë mënyrë vijojnë një jetë absolutisht normale, siç edhe në fakt ka ndodhur.

Gjetja e trupit të Siborës pas 9 vitesh erdhi falë një rrëfimi spontan të Romeo-s, dëshmi nga e cila më pas u tërhoq. Megjithatë aq mjaftoi që policia spanjolle të kontrollonte shtëpinë që ku kishte jetuar me Siborën.

Psikologia, e specializuar në studimin e profileve të dhunshme dhe rastet e kronikës, thekson se me gjasë “vrasja e Paula-s”, e cila u godit për vdekje me thikë në moshën 28-vjeçare në muajin Maj, “nuk ka lidhje” me atë të Siborës.

“Ai rrëfim spontan në polici kur pa foton e zhdukjes së saj dhe buqeta me lule që u gjet në kufomën e saj kanë lidhje me pendesën. Lulet janë një xhest që simbolizon kërkesën për falje, edhe pas asaj që ka bërë”, tha Checa.

E pyetur nëse do të kishte pasur më shumë viktima nëse Marco Romeo nuk do të ishte arrestuar, psikologia përgjigjet “me gjasë po” sepse siç shpjegon “ai nuk e kupton mungesën për të kontrolluar impulset dhe ku janë limitet”./tvklan.al