“Si jemi gjallë pas xhirimeve në ato kushte”/ Reshat Arbana rrëfen sekretet e roleve: Skenat që u prenë te “Nëntori i dytë”, si u aksidentova në film

Reshat Arbana është pa dyshim një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë. Ka realizuar rreth 40 role, shumë syresh të paharrueshëm.

Kur ishte fëmijë, askush nuk e kishte menduar se do të bëhej aktor. Askush në familjen e tij nuk kishte lidhje me artin. Por kur i erdhi mosha për ushtar, i shtyrë nga miqtë, shkoi të konkurronte për aktor. Ndërkohë kishte mbaruar Politeknikumin e tashmë kishte nisur të punonte. Nuk e mendonte se do të fitonte, por ja që emri i tij ishte në listë dhe prej aty mori udhë karriera e tij prej aktori, ndër më të dashurit për publikun shqiptar. Në serinë e bisedave “Përballë” të “Digitalb” nga autorja Ornela Islami, Reshat Arbana rrëfen jetën e tij.

FAMILJA

Unë vij nga një familje zanatçinjsh. Im atë bënte qeleshe në Pazar të Ri, xhaxhai kishte një dyqan fruta-zarzavatesh në rrugën e “Kavajës”. Njerëz që as e kishin menduar që i biri dhe nipi i tyre do bëhej aktor asnjëherë, absolutisht. Kisha një nënë që kishte një motër dhe të dyja motrat kishin marrë dy vëllezër. Tezes sime dhe nuses së xhaxhait, si i binte, i kishin lindur tri vajza dhe të tria i kishin vdekur, kish mbetur pa fëmijë që kur më ka adoptuar.. Të më falni…sepse është xhaxha, e kam dashur shumë… Pastaj krijova familjen time me një grua, që të them të drejtën jam tejet i vlerësuar që e kam, se vështirë të kalosh me mua… Nuk jam kaq i poshtër, kaq i egër, por nxehem shpejt, por ama e kam burrërinë që të kërkoj ndjesë të nesërmen. Unë, të them të drejtën, kam qenë dhe jam ai që rri shumë me të tëra shtresat, por merakun e kam me punëtorët dhe me katundarët. Duke qene vetë katundar me prejardhje të largët, sigurisht edhe punëtor njëherësh, më pëlqen shoqëria me ta se ke ç’mëson. Ky intelektuali i shkreti rreh pak si larg, ashtu i duket sikur ç’është. Tani kane zënë të thonë “VIPA”, kemi kaq shumë vipa…

Po ça ka bërë ky vipi xhanëm? Po ne kemi pasur aktorë të mrekullueshëm, që e meritojnë me shpirt e zemër këtë përcaktim “VIP”, po për fatin e keq vdiqën fukarenj. Fatkeqësi e madhe shumë dhe të themi të drejtën unë marr një pension të veçantë, po për kushtet ekonomike financiare, për çmimet që kanë ardhur, ç’pension i veçantë është ai? Se s’dua të flas me tepër, por nuk i kushton shtetit shumë për figura që mbajnë tituj të lartë, domethënë që i kanë merituar dhe i kanë marrë jo lehtë ata tituj. Kjo politika nuk e vlerëson të bukurën, nuk e do të vërtetën. I them atij, kush je ti mor zotni, krahas atyre aktorëve të mëdhenj këngëtarëve të mëdhenj, solistë të mëdhenj, apo shkencëtarëve të mëdhenj që i kanë dhënë kaq shumë këtij kombi?! Unë e qetësoj veten shpesh kur lexoj disa vargje të poetit të madh kombëtar shqiptar Gjergj Fishta: “Po s’asht ja për t’u çuditur se kur kte kombin tonë kobiten, kryekungujt venë të parët, vaj hallin për ne shkrimtaret..” e kjo më qetëson.

Për poezinë më ka ndodhur një gjë e çuditshme, unë nuk kam pas recituar kur isha në teatër, ishin të rrallë kështu. Më ka shtyrë t’i hyj drejt asaj rruge një ngjarje e viteve ‘88-‘89, kur në ato kohë kosovarët u mbyllen në zgafellë, atje në Mitrovicë. Kur i shihja atje thosha ç’bëhet kështu, janë mbyllur atje me kaq ditë që mund të vdesin… Edhe atëherë m’u kujtuan disa vargje nga Fishta i madh “Çka bajnë shqiptarët”. Edhe tërë këto i grumbullova, e bëra një kasetë atëherë që mori dhenë. Unë nuk mora para absolutisht, por isha i kënaqur kur të merrte nga Zelanda e Re, nga Australia, shqiptari që andej dhe të thoshte faleminderit shumë për këtë që ke bërë. Kjo ishte nisja e asaj rruge dhe e vazhdova me problemet e ditës, që kalon shqiptari sot. Kam grumbulluar disa poezi të tjera dhe dua ta bej dhe një CD se DVD është e vështirë të bëhet se do para shumë, por të paktën të kem zërin, ta bëj si zë kështu dhe besoj po pata jetë do ta bëj dhe do ta le se s’bën.

I lodhshëm është filmi, por teatri s’është për moshat tona, pastaj është vërtet i lodhshëm shumë, sepse do dy orë, kur ke role kryesore, të jesh në skenë dhe skena do gjoks, skena do zë, skena do figurë, ke dalë për të thënë fjalë dhe do ta thuash ashtu siç duhet dhe unë nuk dua sot që të turpërohem. Kam dëshirë në film të luaj. Kam, se aktori sa është me këmbë e me dorë dhe me mendje të kthjellët, pavarësisht nga mosha, mund të luaje, se rolet e moshës time për shembull më mirë do t’i luaj unë sesa një djalë 35-40 që përpiqet ai grimieri i shkretë ta sjellë në atë moshë. Ja këto kanë qenë ato gjërat e bukura të atyre filmave që kemi bërë ne, të veçanta kështu. Filma të bërë me mund e sakrifica të mëdha, nga të cilët nuk fituam 5 lekë, por fituam një gjë të madhe, respektin e popullit që për mua s’blihet me para…

“DUELI I HESHTUR”

Filmi i parë ka qenë “KOMISARI I DRITES”. Ishin ditët e fundit të shkollës. Erdhi Viktor Gjika dhe na bëri disa foto-prova dhe e fitova. Kisha rolin e Nikollë mustaqeziut, kështu e quanin, një edepsëz, një këlysh i Dodës, i kapedanit të zonës… Rol që ishte si punë trampolinë për mua, sepse pas tij u hodha në një rol vërtet të rëndësishëm, që për mua zë vend të parë ndër ato role që i kam të zemrës, Islam Kallulli te “DUELI I HESHTUR”, një film vërtet psikologjik, me figura të qëlluara, me figura të goditura. Të katërt personazhet që jemi aty, janë në vendin e tyre. Një moment kur kishim dalë nga anija në bankinë dhe anija lidhej me bankinën nëpërmjet një dërrase, që nga dallgët lëvizte poshtë e lart, erdhi çasti për të xhiruar. Pasi thirri regjisori, unë kalova nëpër dërrasë, anija u tërhoq, hyri thellë në det, tërhoqi dërrasën dhe u këput, mirëpo thellësia ishte, siç thonë, 14-15 metra, edhe unë rashë.

Duart m’u përplasën në bankinë, sahati që ishte i filmit fluturoi, domethënë s’e di si u shkëput nga dora dhe ra deri në fund, s’po merrja vesh se ç’ndodhte, i dërrmuar, i vrarë, i sakatuar, ujë në mes të janarit. Më çuan në kaldajë, atje u zhvesha, thava rrobat, erdha në Tiranë, ndenja nja tre-katër ditë derisa më ikën ato plagosjet që kisha marrë, u ktheva përsëri. Ka qenë një film i vështirë, domethënë nga ana teknike xhirohej në det të hapur, sepse nuk duhej të dukej qyteti gjëkundi, deti kishte furtuna për çdo ditë pothuaj. Kemi xhiruar rreth katër-pesë muaj dhe ta themi ashtu si burrat, nuk kish asnjë nga ne që nuk e zinte deti, me përjashtim të Petraq Lubonjës dhe një punëtori skene, Asllan Vladi. Mbaronim xhirimet, shkonim aty ku rrinin marinarët, shtriheshim aty ku të gjenim karar, nuk gjenim. Kur thërriste asistent-regjisori “Reshat Arbana xhirim!”, bobobo kush ngrihet…

Një film që u prit jashtëzakonisht mirë, u dha në teatrin e nderuar të Durrësit dhe mbas shfaqjes u bë një koktejl në hotel “Durrësi”. Tek rrija në banak aty nga mbrapa, më vjen njëri, më vë dorën kështu, “Islam Kallulli, pse kshu të ka ndodh kjo ngjarje, ai roli që bo ti jam unë, unë e kam hëngër një derr burgu prej ktij…”. Unë kujtova se ai më gënjente, të them të drejtën. Para gjashtë a shtatë vjetësh, Fatos Baxhaku shkruan një artikull në gazetë, ku e përmend emrin e këtij njeriu, me sa mbaj mend unë, Vlash e quanin, tamam ashtu siç e kishte dëgjuar atëherë…

**

Mbarova shkollën, më emëruan në Radiotelevizion, regjisor i redaksisë së Pionierit dhe rinisë, më pas përgjegjësi i kësaj redaksie. Deri në ‘74-ën, duke qenë punonjësi i radios, kisha bërë “KOMISARI I DRITES” “DUELI I HESHTUR” dhe “GJURMET”. Ikja pa lejen e drejtorit, por me lejen e fshehtë të nëndrejtorit që ishte Nefo Mehtiu, që ishte e shoqja e Manush Mehtiut, një zonjë grua që e donte artin, i ndihmonte të rinjtë. Më thoshte: shko edhe mos u ndjej… Me këmbënguljen e njerëzve të partisë atje, se isha djalë i mirë me demek, më thanë do hysh në parti. I kisha shpëtuar në park kësaj pune, atje nuk i shpëtova dot, shkova bëra atë stazhin e partisë.

U ktheva përsëri në Radio, ku drejtor ishte Thanas Nano, më tha do punosh në redaksinë e regjisë. Jo, i thashë unë… unë tani do iki në teatër… Dhe vajta te rajoni i partisë, sekretari i parë ishte Dani Keci, një tiranas shumë i mirë, ia thashë hallin dhe ai me shumë zgjuarsi i tha: “More Thanas, ç’e mbani këtë djalin këtu, o burrë i dheut, çojeni në teatër se gjynah, për atë punë ka mbaruar”. Kam filluar punë në teatër në muajin janar të vitit ‘74 dhe roli i parë që më është besuar ka qenë Selim Bruga te “FAMILJA E PESHKATARIT”, rashë në mesin e aktorëve të njohur të këtij teatri, m’u besua një kryerol aty që më trembi shumë, por me punën dhe me këshillat që më jepnin këta kolegët e mi dhe veçanërisht Naim Frashëri, arrita dhe qëllova në shenjë me këtë rol. Kur është dhënë premiera, më kujtohet që spektatorët duartrokisnin me të madhe, dilnim përshëndesnin, unë mbeta atje diku, pastaj kur u ngjit Pirro Mani më mori dhe më hodhi në skenë, shpërthyen njerëzit dhe unë thashë se për kë bënin kështu. Ishte për mua dhe kur u tërhoqa mbrapsht, u përplasa me Naim Frashërin dhe më tha: “Hajde qerrata se na i more duartrokitjet”. Mbas premierës, Kadri Roshi më thotë: “Njërol që të mos guxojë tjetërkush t’i hyjë, sepse me nder…” tha… e të tjerë e të tjerë. “Bravo të qoftë! Tani më lart, më lart!”. Më ka mbetur ajo në kokë, më ka mbetur, pastaj erdhën rolet me radhë…

“TINGUJ LUFTE”

Qe një rol që ma besoi Xhanfize Keko, rolin e një mësuesi. Unë për fatin e keq në atë kohë isha thinjur, se kam edhe racën ashtu dhe u desh të shkonim në parukeri në Durrës për të lyer flokët. Po burrat nuk hyjnë në parukerinë e grave e më ka ardhur shumë zor, shumë vështirë, burri nuk i lyen flokët, po ç’të bëjmë, i lyemë për rolin. Unë nuk di të këndoj, të themi të drejtën, e kam shumë të vështirë, po kështu këngë popullore tiranase këndoj, po atë s’e këndoja dot me thënë të drejtën, por megjithëse mund edhe ta kisha kënduar se ky ishte mësuesi i muzikës, nuk ishte këngëtar. Ia dhanë këngën Avniut, i cili e këndoi mirë, po nuk shkon, kërcet shumë se duket që nuk është zëri im. Kur qëllon që e shof, unë nuk dua ta dëgjoj, po nuk e kam me Avniun, jo absolutisht…

Mbas filmit “TINGUJ LUFTE” kam bërë filmin “FIJE QE PRITEN”. Kur më ka ardhur skenari i këtij filmi nga Muharrem Fejzo, roli më pëlqeu paçka se negativ, mua më erdhi keq në ato momente, se u bënë disa role që ishin të tërë negativë. Ah, medet thashë, po kështu do t’i bëj unë? Puna ime vetëm role negative?! Se, të themi të drejtën, më vinte dhe keq se kaq i shëmtuar nuk isha, se thonë me demek të shëmtuarit bëjnë role negative, se i shkon pamja e jashtme, u ngjitet tamam dhe atyre qëllimeve të këqija të personazhit negativ. Mirëpo, pastaj filloi të thyhej kjo, kisha një rol që ishte afër rreth të 55-ave, unë isha 34 vjeç dhe Bushi grimieri i nderuar i Kinostudios tha: “Kaq problem e kam me ty sa…” dhe ç’bëri, më hapi ballin, se kam pasur shumë flokë dhe flokët i lashë nëpër filma, sepse për fatin e keq atë kohë nuk kishte grim, megjithatë e arriti, i lashë flokët e gjata dhe krijoi një portret shumë të bukur të Sami Amenit, që e kam bërë me një kënaqësi të madhe. Xhiruam te hotel “DAJTI”, kisha dalë te pishat dhe rrija pija cigare atje, në kohë përgatitej objekti. Veshëm një xhup të bukur, përgatitur, qepur në Kinonstudio nga rrobaqepësi Faik Llezi. Kalon një shok aty dhe unë e thërras në emër “O Telo”. Ai ktheu kokën me pa një herë, mirëpo ishte një kohë që s’duhej të rrije me turistë që kishin ardhur nga bota…iku.. “O Telo, hë more? Po jam Reshat Arbana”. “Ou, mendova mos je noj turist, prandaj s’të fola”.

“GJENERAL GRAMAFONI”

Është një film, një fitore e madhe, një film që jemi me fat që e kemi. E ndjek me një kënaqësi jashtëzakonisht të madhe. Bujar Lako në atë rolin e famshëm në klarinetë e ka qarë… Kemi aktorë të tjerë pastaj të shkëlqyer: Kadriu, Sulejman Pitarka e me radhë. Ishte një mesazh që lufta ideologjike i paraprin luftës me armë demek, nëpërmjet këtyre pllakave të gramafonit me muzikë, italiani fuste dhe bënte punën e tij italiani. “GJENERAL GRAMAFONI” bën pjesë në filmat e mirë të Kinostudios. Nëse Kinostudio “SHQIPERIA E RE” bëri 320 filma afërsisht, mund të them se 120 filma i ka të mirë, ata të tjerët pastaj quaji ndaç të mesëm, ndaç nën të mesëm, por jo të thuash s’keni bërë gjë.

“LIRI A VDEKJE”

Është xhiruar në verë me sa kujtoj, një film shumë i vështirë për t’u realizuar, dhe ai guri i Gjirokastrës të përvëlonte. Ato rrobat e Bimbashit ishin tejet të rënda, të mbledhura deri në grykë dhe nuk zhvisheshim për të mos humbur kohë. Merrnim dy arka domate e një kile djathë dhe uleshim në ato gurët e rrugëve të Gjirokastrës. Në atë kohë vinin shumë turistë në Gjirokastër dhe kur na shihnin kështu, i dukeshim interesantë me ato veshjet e bukura të luftëtarëve të lirisë, por dhe këtyre turqeve dhe na bënin fotografi. S’e imagjinonim se do hanim në këtë formë, por s’kishim mundësi dhe nuk donim që të humbitnim kohë. Megjithatë, dikush i sqaroi “Po, shumë interesante, shumë bukur!”… U bënte përshtypje gjithçka, edhe trajtimi. Se ka nga ata që thonë: Bënit qejf ju artistët. Dhe me thënë të drejtën, kur ndodhem në këto kushte kam dëshirë t’i them atij njeriu: pa ulu këtu në tavoline ta pimë një kafe, por çfarë qejfi kemi bërë ne, se merrnim 160 lekë për tre vakte ngrënie në ditë? Se bridhnim me makinë, jo me vetura siç bredhin sot për të xhiruar dhe me vetura të mira, që portobagazhi është i mbushur me “Coca-Cola”, me byrekë e me pica, ku kishim ne nga këto gjëra? Shkoje në Vermosh, s’kishte të mbaruar rruga…

“NËNTORI I DYTË”

Kur më thirri Viktor Gjika dy ditë mbasi kishte bërë ato fotoprovat dhe i kishte renditur mbi tavolinë fotografitë e Ises origjinal domethënë dhe Isës Reshat “Ku eshte Isa? -Ja ku është, je ti”, ou thashë, shih ku jam. E mirë tha në rregull e ke marrë këtë rol. Ai sinjali që morëm se mund të luaja rolin e Isa Boletit te ky film me thënë të drejtën ishte një kënaqësi shumë e madhe. Kemi punuar me dashuri shumë të madhe se i kisha lexuar jetëshkrimet e Isa Boletinit, qofte të Skënder Luarasit që për mua është një nga jetëshkrimet më të bukura të Isait, por edhe të Sulejman Krasniqit. Kemi xhiruar ne Lezhë, në Brataj të Vlorës. Dhe ja këtu te xhirimet e Bratajt të Vlores kam ç’tregoj, se ishte 30 korrik, 39 gradë, dhe ai jeleku i Ises kur më prekte në qafë, më ngacmonte si ta kruaja qafën me letër smerileje. Atje në Brataj është xhiruar një episod prej 12 minutash, që vinte mbas episodit që serbët kishin bërë reprezalje në fshatin ku kaluam. Nisem dhe rrugës hasim me këtë batalion ndëshkimor në një luginë ku kishin ndaluar për të pushuar dhe Isa i thotë: “Djema, pushka ime mbi rojën në karakollë është sinjal për sulm”, domethënë mbasi jep, i qëllon ushtarin dhe ai bie, të tërë luftëtarët e Isës që ishin kosovarë të Rushbullit, të ardhur herët, u sulen këtyre ushtarëve serbomalazeze edhe desh i shqyen, ndokushi e merrte i fuste kokën në ujë dhe s’ia nxirrte më, sa u detyrua një herë i ndjeri Viktor Gjika i tha: “O burra, çfarë bëni, a jeni në vete? Po ne jemi duke bërë film, o burra çfarë bëni?”. Nejse, e asgjësuam këtë batalion. Isa ishte në një shkemb aty, dridhte një cigare, ia sjellin Isës përpara dhe ky i thotë: “Isa Boletini ti mund të vish në Beograd, të marrësh saraje, të marrësh toka, të marrësh një pension, të mirë”, Isa e dëgjon dhe nuk e sheh fare e u thotë luftëtarëve “Pushkatoje”, ky kthehet me forcë: “Ju shqiptaret s’keni për të fituar kurrë!”.

Atëherë, i inatosur akoma e më shumë ia ndërron ekzekutimin: “Me litar”, i thotë. Kur është dhënë shfaqja këtu, siç ishte zakoni për kolektivin e Kinostudios, ky moment është duartrokitur me të madhe. Kur më ka thënë Viktor Gjika, e more vesh Reshat na e hoqën atë episodin, se një nga komisioni që jepte vistot e shfaqjes së filmit ishte ngritur dhe kishte thënë se serbët na akuzojnë ne si provokatorë, si hakmarrës dhe kjo e rëndon këtë punë, ia mbështetën dhe të tjerë dhe ky episod u hoq. Mora vesh që kur filloi demokracia, Viktori më ka thënë se e ka marrë në telefon Ramiz Alia dhe i ka thënë që gjejeni atë episod dhe vendoseni. Ai episod nuk është gjendur sot e kësaj dite, po tq xhirohej sot donte miliona. Ai rol me dha një njohje me tepër akoma, veçanërisht për popullin e Kosovës, që panë atë heroin e tyre aq sa është në atë film, se po të kishte dhe këtë episod do ishte një figure e kompletuar, por fati i keq nuk ekziston më, e kam pishman këtë punë.

“DORA E NGROHTE”

Për mendimin tim, është një film jashtëzakonisht i bukur, që trajton temën e ditës dhe aty për herë të parë ne pamë hajdutërinë, pamë prokurorë, pamë hetues, pamë gjykatës, pamë të burgosur, u thyen kornizat. Ky Ahmeti për mua nuk është negativ, është tamam një personazh tepër i besueshëm. Shqetësohet sepse djali i gruas ka marrë një rruge të keqe. Ahmeti më pëlqen shume, kisha shpresuar që të merrja një çmim aty, nuk e mora as aty. Nuk kam marre asnjë çmim në tërë këto role që kam bërë, dyzet e kusur role, përveçse te filmi i Rikardit “Kur hapen dyert e jetës” dhe e kam vuajtur çik këtë punë sigurisht, se shihja që mori njëri një çmim. Po mirë, unë sikur kam qenë më mirë se ky dreqi e mori, por mirë kjo nuk kishte asnjë rëndësi… Rëndësi kishte që kur dilja në pazar dhe ishte dhënë filmi në televizion, se kështu në televizor ishte atëherë, do të të takonin njerëzit dhe do të të uronin. Kjo ishte gjëja më e madhe. Aktori është si puna e fëmijës që i jep një karamele, e kënaq, ia merr karamelen e mërzit, kaq.. kaq budalla është aktori i shkretë. Nuk e lë këtë pune në dore të atij që është vlerësuesi më i mirë, populli. Letra është një letër.

“HIJE QE MBETEN PAS”

Ky personazhi im, Adnan Kodra, ishte një qen bir qeni, një edepsëz dhe aty them që është një figurë që është per ta besuar. Erdhi në një kohë që godiste korrupsionin dhe korrupsioni atëherë lidhej me një qilim apo diçka tjetër. Ky ishte korrupsioni me demek, por më pëlqen sepse dhe aktorët të tërë janë shumë të mirë.

“KUR HAPEN DYERT E JETES”

Në film nuk mund të besh dëborë artificiale, ne s’e bëjmë dot apo jo? Kur marrim atë djalin për ta zbritur poshtë në ambulance, zhyteshim deri në gjunjë në dëborë dhe nuk bëhet vetëm një herë, nuk bëhet vetëm një dubël, duhet të besh 4-5 dubla, megjithatë kënaqeshim, kishte një solidaritet, kishte miqësi kaq të ngrohtë. Për çudinë time ai roli i kryetarit të komunës atje mori çmim, unë nuk kisha marrë çmim në role më të mira, këtu që më dukej vetja një hajvan, një edepsëz, një budalla e gjysmë, por ama ka një kalim shumë të bukur në film nga fundi andej qe është interesant që e ka vrarë ndërgjegje për të gjitha këto. Atëherë nganjëherë të vriste ndërgjegjja, sot s’të vret fare, fare, fare, nuk njihet fare, ç’është kjo ndërgjegjja nuk e kuptoj…

“FLUTURA NE KABINEN TIME”

Unë kam një njeri atje që sot janë të rralle, më pëlqen ai rol se Ladi ka ditur ta trajtojë nga ana njerëzore, me ngrohtësi shumë të madhe. Ai film është bere në kushte tejet të vështira për mua.

Kishim një dramë në teatër, që shfaqej për çdo ditë të javës “Nesër është vonë” me sa me kujtohet, xhironim tërë ditën e ditës në Lezhë, vinim bënim shfaqjen nga ora 6 apo 7, si te ishte orari dhe na çonin përsëri në Lezhë, që të nesërmen të ishim në xhirime. Ky ishte ai qejfi i madh që ka bërë artisti shqiptar. Qejfi i madh i artistit shqiptar ishte edhe kur të pyeste ai administratori i parave kur shkoje në Shkodër, ke ardhur në Shkodër para orës 12 apo pas orës 12 të natës? Dhe ne nganjëherë mashtronim “Jo, jo, 1 e 20”. Atëherë gëzoje të drejtën te merrje 160 lekë te plota që s’ishin asgjë, se ndryshe do merrje gjysmën e dietës, torturë e gjallë. Dhe shpesh më thotë gruaja: “Pse ankohesh mor xhan kur të shohin njerëzit kështu”.. Eh, moj grua, ti të paktën mos më thuaj kështu. Me ç’kemi hequr, me ç’kemi vuajtur, me ça siklete i kemi bërë ato filma, si jemi gjallë xhanëm, si ka mundësi të besh 40 e kusur filma në ato kushte, nuk është e lehtë./ Përgatiti Panorama.al