Si ishte pamja e vërtetë e Jezu Krishtit? Ja çfarë thonë dëshmitë historike
Edhe pse Jezusi portretizohet shpesh si një burrë me lëkurë të çelët, me flokë të gjata dhe memjekër, fytyra e vërtetë e Birit të Perëndisë ishte ndoshta shumë më ndryshe. Bibla flet shumë pak mbi tiparet fizike të Jezu Krishtit.
Dhe për disa shekuj pas vdekjes së tij, me shumë gjasa për shkak të shqetësimeve se mos nxisnin idhujtarinë, artistët nuk krijuan përshkrime të Birit të Perëndisë. Po si dukej në fakt Jezusi? Nëse zgjedhim t’i besojmë artistëve të famshëm të Rilindjes, atëherë Mesia i krishterë kishte flokë dhe mjekër të gjatë.
Po ashtu, lëkurën e kishte të zbehtë, siç shihet edhe në tablotë “Darka e Fundit” e Leonardo da Vinçit apo ”Gjykimi i Fundit” nga Mikelanxhelo. Por këto përshkrime të famshme artistike të Jezusit, nuk duken aspak si ato të një hebreu tipik të shekullit I në provincën romake të Judesë.
Ndërsa ne nuk kemi asnjë provë të fortë se si dukej fytyra e vërtetë e Jezusit, ai ndoshta nuk i ngjante dhe aq pikturave që varen ende sot në shumicën e kishave në Perëndim. Breza të tërëartistësh perëndimorë, e kanë portretizuar Jezusin si një burrë me lëkurë të zbehtë, me flokë të gjata ngjyrë kafe dhe me mjekër.
Madje disa prej tyre si Uorner Sallman në pikturën e tij “Koka e Krishtit”, e kanë përshkruar Jezusin si një burrë bjond me sy blu. Por Biri i Perëndisë nuk ka qenë ilustruar gjithnjë në këtë mënyrë. Portretizimi i fytyrës së Jezusit, ka ndryshuar mjaft përgjatë shekujve.
Artistët e pikturave më të hershme të Krishtit, nuk ishin të shqetësuar për saktësinë historike, por më shumë për simbolizmin. Ata donin ta përshkruanin rolin e tij si shpëtimtari i botës, ndaj e modeluan atë sipas stileve tipike të kohës. Një shembull i kësaj janë qimet e fytyrës së Jezusit.
Para shekullit IV, imazhet tregonin një Jezus me fytyrë të rruar. Më pas, rreth vitit 400, përshkrimet artistike të Jezusit, filluan të përfshinin një mjekër. A ishte Jezusi një njeri meapo pa mjekër? Imazhi më i vjetër i Krishti,t nuk hedh shumë dritë mbi këtë çështje.
I zbuluar vetëm në shekullin XX-të, afresku daton në vitin 235, dhe njihet me emrin “Shërimi i të paralizuarit”. Aty Jezusi paraqitet me flokë të shkurtra dhe pa mjekër. Por edhe ky përshkrim i hershëm, u realizua rreth 200 vjet pas vdekjes së tij, gjë që e bën të vështirë konfirmimin e saktësisë së pamjes së tij.
Siç shihet edhe në pikturat që janë realizuar pas vitit 400, artistët e krishterë në mbarë botën nisën ta përshkruanin Jezusin sipas imazhit të tyre. Në Etiopi, përshkrimet e Jezusit kishin tipare afrikane, ndërsa të krishterët në Indi e vizatuan Jezusin me tiparet e Azisë Jugore. Ndërkohë, artistët evropianë e vazhduan atë traditë, duke e imagjinuar Krishtin si një burrë lëkurëbardhë me karakteristika europiane. Teksa kolonializmi evropian u përhap në të gjithë globin, dominoi versioni evropian i Jezusit, i cili u shfaq në shumë vende.
Por sipas shumicës së shkencëtarëve dhe antropologëve, kjo nuk është pamja e vërtetë eJezusit. Zhvillimet e reja në antropologjinë e mjekësisë ligjore, i kanë dhënë mundësinëstudiuesve të krijojnë një ide më të mirë se si dukej Jezusi në të vërtetë.
Në vitin 2001, Riçard Niv, një ekspert britanik në rindërtimin e fytyrave nga eshtrat e njerëzve, përdori shkencën moderne për të rikrijuar fytyrën e një banori të Judesë të shekullit I siç ishte edhe Jezusi. Duke përdorur një kafkë izraelite që datonte në atë periudhë, Niv dhe ekipi i tij përdorën programe kompjuterike, argjilë dhe njohuritë e tyre mbi tiparet historike hebreje dhe të Lindjes së Mesme, për të krijuar një fytyrë që mund t’i përkiste hipotetikisht një fqinji të Jezusit, ose ndoshta edhe vetë atij.
Puna e Niv u shfaq në serinë e dokumentarëve të BBC-së “Biri i Zotit”, që rrëfen jetën e Jezusit duke përdorur prova shkencore dhe historike. Producenti i serialit, Zhan–Klod Bragar, tha për rekreacionin:”Përdorimi i shkencës arkeologjike dhe anatomike, në vend të interpretimit artistik, e bën atë model si ngjashmërinë më të saktë që është krijuar ndonjëherë”.
Ai vazhdoi më tej:”Nuk është tamam fytyra e Jezusit, sepse ne nuk po punojmë mbi kafkën e Jezusit, por është pika e nisjes për të shqyrtuar se si do të dukej Jezusi”. Rindërtimi mjeko-ligjor i imazhit, nuk ngjan aspak me Jezusin e përshkruar në artin evropian.
Përkundrazi, ai tregon një burrë me lëkurë të errët. Ai ka flokë të errët, kaçurrela të prera afër kokës dhe një mjekër të shkurtër. Ndërsa shumica e burrave në Levantin e shekullit I e rruanin mjekrën, ka të ngjarë që Jezusi mund të ketë mbajtur mjekër.
Tek e fundit, ai kaloi shumë nga koha e tij si një predikues që lëvizte sa andej-këndej, gjë që ndoshta i la pak kohë për t’u marrë me veten. Megjithatë, mjekra ka të ngjarë të ketë qenë e shkurtër, siç shihet edhe në rindërtimin e fytyrës nga Niv.
Atëherë, nga erdhi imazhi i Krishtit me flokë të gjatë kaçurrela? Në kohët e lashta, shumë artistë në Evropë i përshkruanin Perënditë greke dhe romake me flokë të gjatë dhe mjekër.
Prandaj kur Krishterimi u bë feja zyrtare e Romës, artistët mund të jenë mbështetur mbi këto vepra arti.
Po si dukej vërtetë Jezusi? Në vitin 2018, Xhoan Tejlor, profesoreshë e Krishterimit të hershëm dhe Judaizmit në Kolegjin Mbretëror të Londrës botoi “Si dukej Jezusi?”, një studim historik mbi pamjen e jashtme të Krishtit.
Duke u mbështetur në burimet tekstuale dhe arkeologjike, Tejlor sugjeron se Jezusi ishte rreth 1.65 metra i gjatë, gjatësia mesatare e vënë re tek skeletet mashkullore nga e njëjta kohë dhe i njëjti vend. Ashtu si të tjerët në Jude dhe Egjipt, ku Jezusi jetoi për pak kohë, Jezusi historik ka të ngjarë të kishte flokë të errët, lëkurë të errët dhe sy ngjyrë kafe.
Ky imazh përputhet edhe me rindërtimin që bëri Niv. Sa për veshjen e tij, ai ndoshta mund tëë mbante veshur një tunikë leshi, të shoqëruar me gjasë me një mantel dhe sandale. “Unë mendoj se Jezusi ishte një njeri me pamjen e një personi shumë të varfër”- shpjegon më tej Tejlor.
Në përgjithësi, shumica e studiuesve modernë pajtohen se ai do të dukej një hebre i shekullit I. Në fund të fundit, në Letrën drejtuar Hebrenjve thuhet:”Është e qartë se Zoti ynë kishte prejardhje nga Judea”.
Është shumë interesant fakti që tekstet historike nga epoka e Jezusit, raportojnë se egjiptianët nuk mund ta identifikonin vizualisht popullin hebre. Kjo lë të kuptohet se shumica e burrave hebrenj, përfshirë Jezusin, nuk dukeshin aq të ndryshëm nga egjiptianët dhe burrat e Levantit gjatë asaj periudhe.
Disa ekspertë thonë se Jezusi ka të ngjarë të mos ishte një burrë shumë i pashëm. Bibla thekson “pamjen e bukur” të figurave si Davidi dhe Moisiu. Nga kjo, Tejlor arrin në përfundimin se po të kishte i pashëm Jezusi, shkrimtarët e ungjillit do ta kishin theksuar këtë aspekt.
Tejlor shton se ai ka të ngjarë të kishte një fizik të dobët dhe muskulor falë punës së tij si marangoz, dhe udhëtimeve të gjata në këmbë. Ne ndoshta s’do ta dimë kurrë saktësisht se
si dukej Jezusi. Por rindërtimet moderne, të bazuara në antropologjinë e mjekësisë ligjore, arkeologjinë dhe tekstet historike, ka të ngjarë të jenë shumë më pranë të vërtetës, se sa çdolloj interpretim artistik. / All that is interesting – Bota.al