“Si ia dalim me Eglën të mbajmë të bashkuar familjen”- “Princi i Libofshës” tregon pse është e vështirë të jetosh me një burrë si ai: Funksionoj si…
Alexandre de Basseville, i njohur si “Princi i Libofshës”, di ta rrëfejë bukur enciklopedinë e botës së tij sa spiritualiste, aq edhe pragmatiste, në këto kohë të vështira ku bota ka humbur busullën.
Fotografi, që e konsideron veten më shqiptar se shqiptarët, rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus” vizionet e tij largpamëse, që vijnë si guida e duhur në zhdukje të varfërisë deri te zgjimi i shpirtit.
Bashkë me këshillat e tij në lidhje me iluzionin e dashurisë dhe ndërtimin e marrëdhënieve të forta, në sfondin e fotove familjare në meshën e Krishtlindjeve në Kishën Katolike, Ale rrëfen sekretet e familjes me “Miss Albania”-n, Egla Harxhin, dhe djalin e tyre Luxifer.
Ju pamë familjarisht te mesha e Krishtlindjeve në Katedralen Katolike. Çfarë do të thotë për ju pjesëmarrja në këtë meshë?
Alexandre de Basseville: Së pari, si familje mbretërore, lidhja jonë me shtetin papnor të Vatikanit dhe të Kishës Katolike Apostolike është e përcaktuar nga traktati i Perandorisë Karolingjiene, që thotë: “Mbreti zgjedh Papën dhe Papa zgjedh mbretin”. Devocioni ynë total ndaj shtetit të Vatikanit dhe ambasadorëve të saj do të jetë gjithmonë një prioritet, një virtyt dhe një detyrë.
Të martohesh me detyrimet e familjes tonë është të martohesh me historinë. Ne jetojmë përmes kodeve, protokolleve. Kjo do të thotë se për ata që nuk janë rritur ose edukuar në brendësi të saj e kanë ekstremisht të vështirë dhe kërkon shumë përpjekje, devocion dhe vetëmohim për të qenë në nivel të detyrave, dhe për t’iu përgjigjur të gjithë atyre që kanë nevojë.
Si ishte viti 2020 për ju si familje e ribashkuar dhe për çfarë i luteni Zotit vitin që vjen?
Alexandre de Basseville: Viti 2020 përfaqëson për mua dhe për ne si familje fundin e një cikli, të cilin nuk kam ndalur së e përsërituri prej 3 vjetësh, jo vetëm në Shqipëri, po dhe përtej saj. Është fundi i një sistemi që mund të jetë ekstremisht i vështirë për pjesën më dërrmuese. Ajo që duhet të kuptojmë prej Covid-it nuk është as më shumë e as më pak, se natyra po na dërgon një sinjal alarmant, jo vetëm përmes viruseve, por përmes një shumëllojshmërie eventesh, katastrofash natyrore.
Nëse njeriu nuk do t’i përgjigjet asaj që toka kërkon, njeriu është i destinuar të jetë në zhdukje. Njeriu është një grimcë rëre mbi tokë, atë që politikani harron, është thjesht një grimcë rëre përballë Zotit, është asgjë dhe nuk ekziston pasi vetë toka në vetvete është një grimcë tjetër në univers. Njeriu që beson se është i fuqishëm, superior është tashmë i humbur, dhe shpirti i tij do të jetë i bllokuar në ferrin që i ka krijuar vetë vetës!
Si një spiritualist, si mund të arrihet ai që konsiderohet zgjim shpirtëror në këtë kaos?
Alexandre de Basseville: Ka vite që luftoj në konceptin e një spiritualizmi që i referohet urdhërit të gjërave. Burra dhe gra, në pozicione të ndryshme të shoqërisë, zgjedhin t’i shërbejnë vendit të tyre si patriotë për të jetuar mbi detyrën ndaj kombit, për të luftuar pa pritur në këmbim, pasi e vetmja gjë që ka rëndësi është puna dhe shërbimi i bërë mirë për të mirën e komunitetit.
Ky është kompensimi me i lartë shpirtëror që mund të marrim dhe detyrimisht eliminon parazitizmin, korrupsionin dhe vanitetin. Uroj që ky vit të shërbejë si një pastrim, katarsis shpirtëror dhe një zgjim i shpirtit për të ndërtuar një të ardhme alternative, pasi nëse vazhdohet kështu, nuk do të ketë të ardhme!
Alexandre, ti jeton mes Francës dhe Shqipërisë, çfarë të tërheq kaq shumë këtu, dashuria për Eglën dhe djalin tuaj apo dashuria për këtë vend?
Alexandre de Basseville: Nuk jetoj midis Francës dhe Shqipërisë. Ata që më njohin këtu, dhe midis tyre disa intelektualë brenda dhe jashtë vendit më thonë se jam më shqiptar se shqiptarët, dhe se dua dhe e kuptoj më shumë këtë tokë, historinë dhe vlerat e saj se ata që e pseudo drejtojnë.
E di dhe e njoh atë që ka këtu si forcë, ajo që kjo tokë përfaqëson. Shqiptarëve u them ju jeni të verbër, sepse po të jemi të bashkuar, ne si Ballkan (gadishulli Ilirik) qendra e botës, duke ruajtur traditat, identitetin dhe kulturën tonë, do të jemi jo vetëm vendi/ mbretëria më e pasur, por gjeopolitikisht pika nevralgjike e një ere të re. Është e mundur, vizualizojeni!
Ti dhe Egla u prezantuat në publik me projektet tuaja. Po me to ç’u bë?
Alexandre de Basseville: Mendoj se ka një ngatërresë të madhe në publik për këtë. Ndërhyrjet e mia në televizion nuk kanë qenë për të dalë në televizion, nuk kam nevojë dhe s’kam pasur ndonjëherë nevojë për këtë, pasi bëj mjaftueshëm nëpër botë. Publiku duhet të dijë se i kam propozuar zyrtarisht qeverisë në tërësinë e vet dhe personave që nuk do t’i përmendja emrat për princip: projektin mbi strukturimin e burimeve ujore, i cili ka 3 vjet me një investim prej 3.7 mld dollarësh.
E sot mbas shumë vitesh punë, 1 muaj përpara partnerët e mi kanë strukturuar ujin si komoditet në Nasdaq (bursa e NY). Kjo do të thotë se në këto momente që flasim nëse shteti shqiptar do të kishte zbatuar planin e propozuar, Shqipëria ndër breza nuk do të vuante kurrë nga varfëria.
Ndërkohë, keni propozuar edhe legalizimin e hashashit për zhdukjen e varfërisë. Keni punuar për diçka konkrete këto kohë në lidhje me aspiratat apo nismat tuaja për Shqipërinë?
Alexandre de Basseville: Kam kërkuar me ndihmën e autoriteteve amerikane, strukturimin dhe legalizimin e kanabisit, jo vetëm rekreativ por medikal me ndihmën e bankës më të madhe amerikane, me një investim midis disa miliarda dollarësh. Kam propozuar zhvillimin dhe strukturimin e agrikulturës mbi një plan 25- vjeçar me investim dhe strukturim në formën e bondeve dhe letrave me vlerë, e ku shqiptarët mund të blinin dhe krijonin përfitime mbi interesa. Kam propozuar ristrukturimin e PPP të Shqipërisë me bankën e Rothchildeve, e cila nuk duhet bëre gabimi dhe të ngatërrohet me familjen Rothchild, por një konglomerat internacional dhe që menaxhon 1.3 trilionë dollarë. Pa llogaritur këtu huat nga Lindja e Mesme nga FMI, Banka Qendrore Europiane për një shumë mijë mld dollarë. Të gjitha këto propozime as nuk i kanë lexuar dhe janë refuzuar nga qeveria!
Po me Principatën e Libofshës çfarë është bërë, është ende utopi apo një realitet i mundur?
Alexandre de Basseville: Libofsha duhet të kthehej në një “free zone”, si Monako, si Singapori, si Ishujt Kayman me ndihmën dhe strukturimin nga bankat amerikane. Pa folur sigurisht për faktin e mundësisë së lidhjes Fier-Libofsha për t’u bërë një port me investim ushtarak duke mundësuar një investim prej 80 mld dollarësh, ekuvialent me Portin e KatArit. Pa llogaritur këtu një buxhet në favor të Ushtrisë dhe Policisë u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të patrioteve që shërbejnë këtij vendi.
Asnjë institucion financiar, fond zhvillimi apo biznes serioz nuk do të bashkëpunojë me Shqipërinë për sa kohë do të mbani klasën e korruptuar, të cilët bllokojnë zhvillimin dhe nuk krijojnë asnjë mundësi për një mjedis stabël për biznes. Në të kundërt do tërhiqni vetëm njerëz joseriozë dhe mashtrues, që vijnë për të përfituar nga kaosi. Nuk i hedh njeri lekët kot nëse nuk ka garanci. Do të kisha vetëm një fjalë për popullin shqiptar nga Veriu në Jug, jeni ju që duhet të gjykoni nëse politikani është ende sot në gjendje të perceptojë një Shqipëri krenare, pasi emigrimi nuk është zgjidhje.
Partnerja juaj, Egla Harxhi, ka provuar në moshën 16-vjeçare kurorën e më të bukurës në “Miss Albania”. Çfarë ka ndryshuar sot në statusin e saj si gruaja e Princit?
Alexandre de Basseville: Në këtë jetë si familje kemi vetëm detyrime dhe jo të drejta. Detyra ndaj popullit është simbolika e vetë kurorës.
Si prindër të rinj të djalit tuaj, Luxifer, çfarë do t’i mësonit djalit tuaj për të qenë një lider i zoti nesër?
Alexandre de Basseville: Trashëgimia e të gjitha njohurive që posedoj, historia familjare, vlerat dhe arsyeja dhe motivi që kemi për luftuar gjithmonë është detyra ime primare për t’ia kaluar tim biri. Jam i ashpër kur duhet pasi dua që të rritet me karakter të fortë për të përballuar sfidat. Mund të themi se kaluat një sprovë në marrëdhënien tuaj me Egla Harxhin.
Cili mund të ishte mesazhi inspirues për të gjitha ato çifte të lënduara nga dashuria, apo që kanë humbur shpresën se ajo e vërteta ekziston?
Alexandre de Basseville: Do thosha vetëm një këshillë, pasi të gjithë që me njohin, e dinë që e perceptoj jetën në një formë “old school” (shkolla e vjetër). Jeta nuk është bërë vetëm nga kënaqësitë dhe pasioni i momentit. Ngatërrojmë shpesh atë që duhet për të ndërtuar një familje dhe të biesh në dashuri si 100 vjet para dhe sot është po aq e vështirë. Nuk them se duhen bërë kompromise, por komunikimi është baza e një lidhjeje.
Dashuria është një iluzion egoist që zhduket shpejt nëse një marrëdhënie bazohet vetëm mbi këtë, duhet komunikim, transparencë, respekt dhe punë e përditshme për të mbrojtur dhe ndërtuar një familje të shëndoshë. Mos bini pre e rrjeteve sociale, të cilat ju shesin një jetë boshe që nuk ekziston! Jeta e vërtetë dhe mirëqenia e një familjeje varet nga tejkalimi i çdo sfide të bashkuar për një qëllimi të përbashkët. Nëse duhet të flas për veten time, në këtë rast, të jetosh me mua jam i ndërgjegjshëm që është një nga gjërat më të vështira, pasi funksionoj si orë zviceriane.
E në fund, si e mendoni situatën post-Covid, njerëzit i pret më shumë reflektimi apo shthurja
Alexandre de Basseville: Mendoj se nuk jemi ende në situatën post-Covid, pasi është vetëm fillimi. Covid dhe mënyra sesi është menaxhuar është një pretekst për të fshehur krizën e vërtetë, e cila ekzistonte para pandemisë. Paaftësia dhe mediokriteti i qeverisjeve botërore për të menaxhuar situatën dhe fshehja e krizës ekonomike ka dalë në pah. Jemi përpara faktit që demokracia ka rënë. Shumë institucione janë ngritur pas disa konflikteve si lufta në Vietnam dhe lufta e famshme e ftohtë, por për brezin e ri, të cilët nuk e njohin vështirësinë apo krizat e thella, e kalojnë jetën e tyre në “Instagram” e rrjetet sociale dhe e jetojnë jetën në një mashtrim me besimin se u duhet për t’u bërë të famshëm ose për t’u bërë dikush.
Nuk kanë asnjë kod, asnjë rregull dhe asnjë drejtim. Por nëse çdo i ri dëshiron të jetë i famshëm, atëherë kush do të punojë në profesionet e tjera? Me Covidin këto iluzione janë zhbërë dhe njerëzimi është vënë përpara një sfide që nëse nuk projektojmë një rregull të ri, kthimi të vlerat, identiteti, traditat, ekonomia e afërsisë, bota është e destinuar të shkojë në kaos. Është koha të riprogramojmë një matriks të ri dhe kjo u duhet lënë në dorë sot njerëzve kompetentë.
/Panoramaplus.al/ Nga Klotilda Harka