
Shuhet At Alejandro Greco, kryepeshkopi arbëresh i shqiptarëve të Argjentinës
Me dhimbje të thellë, komuniteti arbëresh në Argjentinë dhe Amerikën Latine njofton humbjen e At Alejandro Greco, Kryepeshkopit të shqiptarëve në këto rajone, i cili ka ndërruar jetë në mënyrë të parakohshme. Lajmi u shpërnda përmes faqes zyrtare në facebook të Kryepeshkopit ku u shpreh pikëllimi i thellë për këtë humbje të madhe që ka tronditur të gjithë besimtarët dhe shoqërinë arbëreshe.
At Alejandro Greco ka qenë një figurë e shquar dhe udhëheqëse e dashur për shqiptarët e diaspora, i cili ka kontribuar gjatë gjithë jetës së tij në forcimin e lidhjeve mes komunitetit arbëresh dhe Shqipërisë, si dhe në ruajtjen dhe kultivimin e traditave, gjuhës dhe besimeve fetare të shqiptarëve në Amerikën Latine. Angazhimi i tij i palodhur në shërbim të bashkësisë shpirtërore dhe kulturore ka lënë një gjurmë të thellë që do të mbahet mend për shumë breza.
Për të nderuar kujtimin e tij, do të mbahet një homazh në shtëpinë e ngushëllimit “Vicente Scilingo” (Forest 906), në Buenos Aires, Argjentinë, më 21 prill, nga ora 9:00 deri në 11:00. Më pas, do të zhvillohet ceremonia e varrimit në varrezat e Chacarita.
At Greco ishte jo vetëm një udhëheqës shpirtëror, por gjithashtu një mbështetës i pasionuar i forcimit të identitetit kulturor të shqiptarëve në diasporë. Ndarja e tij nga jeta ka lënë një boshllëk të madh, por trashëgimia e tij do të vazhdojë të jetojë përmes veprave të tij dhe ndikimit të tij në komunitetin arbëresh.
Komuniteti arbëresh, shqiptarët e diasporës dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan, do ta kujtojnë gjithmonë At Alejandro Grecon për devotshmërinë dhe dedikimin e tij të pashoq për shqiptarët dhe misionin e tij fetar.
voxnews.al