Shqiptarët që njihen botërisht në muzikë pushtojnë skenën e “MTV EMA”

Ceremonia e ndarjes së çmimeve “MTV European Music Awards” u zhvillua mbrëmjen e së dielës në Londër. E pavarësisht se ishte një ceremoni për vlerësimin e muzikës europiane, shfaqja përfshiu gjithashtu edhe shumë prodhime amerikane. Nga ana tjetër në këtë natë të ndarjes së çmimeve të muzikës, u veçua nga mediat e Kosovës “edicioni shqiptar”, pasi panë katër artistë me origjinë shqiptare që merrnin pjesë në ngjarjen me yll në kryeqytetin britanik të dielën, përfshirë këngëtaren e lindur në Kosovë, Rita Ora. Çmimet e “MTV Europe Music Awards” të këtij viti, të mbajtura në “Wembley Arena të Londrës”, të dielën, përfshinin katër artistë të mirënjohur botërisht me origjinë shqiptare. Eventi u prezantua nga ylli i muzikës “pop” Rita Ora, këngëtarja britanike me origjinë nga Kosova, e cila ka lindur në Prishtinë, por familja e saj u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar më 1991. Ora është e dyta artiste me prejardhje shqiptare në edicionin evropian të “MTV Music Awards”, pas Bebe Rexhës vitin e kaluar, artistes së lindur në SHBA. Rexha gjithashtu i dedikoi disa fjalë të mira Orës në një video-mesazh para show-t, ku shprehej: “Nga një vajzë shqiptare në tjetrën, e di që do të godasësh”. Dua Lipa, një artiste tjetër nga Prishtina që nisi karrierën e saj në Londër, u nominua për çmimet “Best New Artist” dhe “Best Look”. Ndërkohë në faqen zyrtare të “MTV EMA” u përshkrua si “një talent i ri mahnitës me histori dhe zë të shkëlqyer”. Artisti i katërt nga Shqipëria është këngëtari Ermal Meta, i lindur në Fier, qyteti në Jugperëndim të Shqipërisë por që bën karrierë në Itali, që kur familja e tij u zhvendos në Bari. Ai u nderua me “Best Italian Act”. Ndërkohë reperi zviceran me prejardhje shqiptare, Xen (emri i vërtetë i të cilit është Shkëlzen Kastrati) ishte gjithashtu i pranishëm në show-n “MTV EMA”.