Shqiptarët në dorë të Zotit: a fiket zjarri me frymën e shenjtë?

1. Sot lexoj që ujësjellësi i inauguruar gjatë fushatës elektorale në Krujë nuk punon më. U prish pas 4 muajsh. Kryeministri dilte para kamerave duke thënë “Urime Krujës për 24 orë ujë”, por sot krutanët e blejnë ujin. E njëjta gjë ndodhi edhe me tapetin e stadiumit kombëtar. 85 mln euro investim dhe… tapeti u ndërrua pas një viti.

2. Sot lexoj gjithashtu që qeveria ka blerë 6 helikopterë për rreth 76 mln euro, por asnjë nuk po përdoret për të shuar zjarret që po ndodhin në vend. Kur sheh videot e “forcave” në male duke shuar zjarret, të duken si filma dokumentarë të epokës së Neandertalit. Janë thjesht disa burra, të cilët nuk kanë asgjë me vete. Kanë veç… shpirtin. Po fryma e shenjtë a e fik zjarrin?

3. Rrjedhimisht, m’u kujtua që ra tërmet dy herë në Durrës-Tiranë dhe u shkund vendi para pandemisë, por Emergjenca jonë kombëtare nuk kishte as krik me vete. Krik! Thjesht krik, një mjet që e ka gjysma e popullit në shtëpi për makinën. Qeveria urdhëroi që krikun ta merrnin hua te ndonjë gomisteri private. Qeveria kishte fond 300 mijë euro edhe për një qen, por… qeni nuk erdhi asnjëherë.

U desh të na ndihmonte Kosova, 13 vjet shtet, e të na mësonte si përdoret qeni. M’u kujtuan edhe mijëra maska të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat rezultuan të skaduara. Më e bukura ishte se nuk e kishte fajin vetëm Partia-Shtet, por edhe partitë e opozitës. Ishte një porosi 11-vjeçare, e cila vazhdonte të përdorej në këtë vend çuditërisht republikë.

4. Lexoj pak më vonë që Shqipëria është vendi me riskun më të lartë për ka-tastrofat natyrore në të gjithë Europën. Ky është vlerësimi më i fundit, i bërë nga Indeksi i Riskut Botëror. Në vitin 2020, një audit zbuloi se stafi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile në Shqipëri e bën komunikimin me Whatsapp dhe nuk ka asnjë informacion paralajmërues për fatkeqësitë.

Jam e sigurt se ka Zot. Nuk ka shpjegim tjetër për ekzistencën e shqiptarëve. Neve na ruan Zoti, se nuk ka mundësi tjetër…