Shqipëria, potencial për krijimin e një “digital hub”, dedikuar të rinjve
E ardhmja është e brezit të ri, e vizionarëve, e guximtarëve, e atyre që ndërmarrin risqe dhe nuk dinë të ndalen!
Të rinjtë shqiptarë kanë të gjithë potencialin të jenë në binom dhe në të njëjtin hap me teknologjinë dhe duket se kjo mundësi, u ofrohet nga forumet teknologjike dhe inovatore që shërbejnë si direktiva të rëndësishme për ta, pasi prekin një gamë të gjerë fushash, si: arsimi, karriera profesionale dhe zgjedhjet e së ardhmes.
Të gjitha këto tematika që kanë në fokus rininë, u diskutuan dje në “Think Tech”, forumin ndërkombëtar i inovacionit.
Tashmë traditë, “Think Tech” solli në edicionin e tretë panelistët dhe tematika të ndryshme, me synimin e qartë: të motivojë të rinjtë dhe t’u shpalosë atyre të gjitha mundësitë që ofron vendi ynë në fushën teknologjike dhe të inovacionit.
Ky forum është themeluar nga z. Erion Isufi, CEO i Landmark Communications & Technologies, me mbështetjen e partnerëve: One Telecommunications, Deloittte, Procredit Bank, Sisal, Moveo, Philip Morris Albania dhe Holberton School Albania dhe bëri bashkë, në 2 panele me sipërmarrës shqiptarë dhe të huaj, të cilët ndanë me pjesëmarrësit përvojat e tyre dhe më e rëndësishmja, mënyrën si teknologjia ka ndikuar në zhvillimin e bizneseve respektive.
Nën moderimin e znj. Rafaela Rica, “Think Tech” shërbeu si një dritare informative për të gjithë të rinjtë, duke cekur tematika të ndryshme, si: siguria kibernetike, interneti dhe rrjeti i sigurt, puna remote në periudhën pandemike, teknologjia si një alternativë me e mirë në jetën e të gjithëve, por edhe sektorin bankar, saktësisht në pjesën e e-banking dhe integrimin e inovacionit në sistemin bankar tradicional.
Edicioni i tretë u nda në dy panele, me nga katër folës secili. Në të parin bënë pjesë: z. Erion Isufi, Founder i “Think Tech”, Founder dhe CEO i Landmark Communications & Technologies; znj. Ralitsa Guri, Anëtare e Bordit të Drejtuesve në One Telecommunications; z. Mario Martinelli, CIO i Sisal; si dhe z. Lorent Guri, Menaxher i Përgjithshëm i Philip Morris Albania.
Në pjesën e dytë të “Think Tech”, morën pjesë emra të njohur dhe të suksesshëm shqiptarë dhe të huaj: z. Davide Filizola, Drejtori Digjital i Sisal Italia; znj. Belma Lushi, Drejtore e Deprartamentit të Shërbimit të Klientëve Privatë në Procredit Albania; z. Orlindo Shehu, Partner Menaxherial i Deloitte CE South, si dhe z. Daniel Schroeder, Co-Founder i Holberton School Albania.
Ndërkohë, z. Erion Isufi, tejet i angazhuar në përmirësimin e të ardhmes të të rinjve, falë mundësive që i ofron pranë Landmark Communications & Technologies, dha premtimin se edicioni i katërt i “Think Tech”, e gjen forumin teknologjik me një kohështrirje prej 1 jave, për t’i ofruar shansin të gjithëve të marrin pjesë dhe të njihen me fushat për të cilat interesohen.
Ka ardhur momenti që brezi i të rinjve tanë të jenë edhe në vëmendjen politikave shtetërore, në mënyrë që kontribuojnë në Shqipëri me të gjithë përvojën, idetë dhe potencialin e tyre, pasi vendi ynë është tashmë territori më i përshtatshëm për krijimin e një “digital hub”, për të apasionuarit pas teknologjisë!