“Shpikja e shekullit”/ Gati sistemi që parashikon tërmetet 4 orë përpara, testimi në një vend të Ballkanit

Universiteti Politeknik i Bukureshtit (UPB) do të testojë një sistem që mund të zbulojë tërmetet të paktën katër orë përpara. Sistemi duhet të jetë në gjendje të zbulojë nivelin, intensitetin dhe vendndodhjen e përafërt të një tërmeti dhe do të testohet në rajonin Vrancea të Rumanisë, sipas Mediafax.

Sistemet më të përparuara të zbulimit të tërmetit, të përdorura aktualisht në Amerikë dhe Japoni, janë në gjendje të lëshojnë alarmet 2-3 minuta para se të ndodhë tërmeti.

Sistemi, i cili është zhvilluar nga ndërmarrja izraelite Ionoterra, është ende në fazën e konceptit, pas testeve fillestare të kryera në Turqi dhe Greqi, me një shkallë të lartë suksesi.

Në fazën tjetër, sistemi do të testohet në rajonin Vrancea të Rumanisë, një nga zonat më aktive sizmike në Evropë. Do të kalibrohet në pjesën e parë të vitit 2020, pas së cilës do të fillojë të sigurojë informacione rreth tërmeteve për autoritetet, për të provuar se si funksionon sistemi në praktikë, tha rektori i UPB, Mihnea Costoiu për Mediafax. Ai gjithashtu tha që sistemi do të testohej në Kaliforni, SH.B.A.

“Në këtë moment, kolegët tanë hulumtues vlerësojnë një kohë të zbulimit prej rreth tetë orësh, dhe sipas llogaritjeve të bëra nga Politekniku, ne jemi të bindur që mund të kemi një informacion jashtëzakonisht të besueshëm brenda një minimum prej katër orësh (para tërmetit – en) . E përsëris, minimumi katër orë, jo maksimal, mund të jetë edhe më i gjatë,” tha Costoiu, cituar nga Mediafax.

Ndërmarrja izraelite Ionoterra, e cila zhvilloi sistemin dhe e zbuloi zyrtarisht në Rumani të Premten, 29 Nëntor, pretendon se mund të lëshojë paralajmërime për tërmetin 8 orë para se të ndodhin. Kompania vendosi t’i ofrojë Rumanisë një seancë të parë demonstrimi jo-komercial, duke kërkuar nga institucionet shtetërore që do të përfitojnë nga raportet e saj mbështetjen për reagimin pas parashikimit dhe vlerësimin e planit të reagimit ndaj katastrofës. Kështu, Rumania ka mundësinë të jetë përfituesi i parë i parashikimeve të ofruara nga Ionoterra, tha ndërmarrja në një njoftim për shtyp, shkruan romania-insider transmeton Faxweb.al.

“Është një gëzim i madh që, për arsye shpirtërore, vendi ku do të testohet sistemi për herë të parë është Rumania. Pothuajse i gjithë ekipi im është i lidhur me këtë vend në nivelin e ADN-së. Për më tepër, unë jam i lumtur që kemi pasur mundësinë të bëjmë gjithçka me mbështetjen e madhe të një institucioni të njohur akademik Rumun. Vlerësimi dhe monitorimi i sistemit Ionoterra do t’i takojë Universitetit Politeknik të Bukureshtit, të cilin ne e falënderojmë,”  tha Drejtori i Përgjithshëm i Ionoterra, Doron Angelovitch.

Testet paraprake të kryera në Greqinë Lindore dhe Turqinë Perëndimore, duke përdorur një sistem parashikimi minimal, kishin një normë suksesi prej 90%, domethënë që nga 75 alarmet e lëshuara për tërmet, 68 u konfirmuan nga Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC), me një madhësi mesatare prej 2.58 gradë në shkallën Rihter. Duke marrë parasysh këto rezultate, Ionoterra vlerëson një saktësi mbi 97% të parashikimeve të lëshuara, duke përdorur një sistem të plotë të monitorimit të tërmetit, për tërmetet me mbi 4.5 gradë në shkallën Rihter.

“Kanë kaluar mbi 30 vjet që kur iu përkushtova kësaj fushe të kërkimit në parashikimin e tërmetit, duke identifikuar trendet dhe proceset që ndodhin në jonosferë. Këto 30 vjet janë themeli i asaj që sot na solli të gjithëve këtu – Ionoterra. Saktësia e rezultateve të marra me kalimin e kohës na ka dhënë kurajo dhe na motivoi të përvetësojmë metodologji të reja dhe teknologji të përparuar që na kanë sjellë në këtë ecuri ”, tha Prof. Dr. Nathan Blaunshtein, Shefi-Studiues dhe Shpikësi i Ionoterra.

(F.GJ/FAXWEB.AL)