‘Shpifje ndaj Noizyt për prishje imazhi!’ Vëllai i kushëririt të reperit që i dogji lokalin sqaron të vërtetat e lajmeve
Para disa ditësh Gjykata e Durrësit la në burg kushëririn e Noizy-t, Eraldo Musteqja, pasi akuzohet u vuri zjarrin pronave të reperit të njohur 3 herë brenda një muaji, përfshirë lokalit në Currila. Ndaj 26-vjeçarit, janë ngritur dy akuza, atë të shkatërrimit të pronës me zjarr dhe kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik.
Në sallën e gjyqit, 26-vjeçari nuk ka pohuar dhe as ka mohuar akuzën për zjarrvënie, ndërsa deklaroi se ka reaguar pasi policët ushtruan dhunë ndaj tij. Ai tha se në zonën pranë lokalit ishte për të medituar dhe ka qenë duke u larguar nga aty, kur u përball me policinë. Përveç zjarrit të 29 qershorit, Musteqja dyshohet se është autor i dy zjarrvënieve të tjera, njëra më 11 qershor në të njëjtin lokal e që u shkrumbua thuajse plotësisht e më herët më 10 qershor, në derën e shtëpisë së familjes së këngëtarit.
Sot ka folur edhe vëllai i tij lidhur me shpifjet që janë drejtuar në emër të reperit. Ai ka mohuar çdo gjë që qarkulloi në media duke u shprehur se janë shpifje dhe kanë qarkulluar për të prishur imazhin.
Ai shpreh keqardhjen për situatën e vështirë që po kalojnë të dyja palët, duke shtuar se askush nuk e ka dashur këtë gjë.