Shota Baraliu: S’mund ta lë personin që dua për flirtin e shkurtër që pati me dikë

Aktrimin e ka profesion, muzikën e bën për hobi. Shota Baraliu është  artiste e vërtetë për mënyrën si mendon dhe koncepton jetën. E lirë, pa tabu dhe që di të përjetojë në maksimum çdo gjë të mirë që koha i ofron. Ajo vlerëson shumë dashurinë si ndjenja që e çon në ekstazë, ndërkohë që flet për sekretin që e bën dominante në marrëdhënie me djemtë.

Të bësh dashuri në det apo në rërë është diçka që të intrigon?
Në det do e bëja me qejf. S’e kam provuar kurrë, por sivjet do e bëj. (qesh)

Ku po pushon këtë verë dhe me kë?
Për momentin midis Shqipërisë po pushoj, në mesin e gjashtë femrave. (qesh).Shqipërinë nuk e ndërroj me asnjë vend tjetër.

Të gjetën të dashuruar këto pushime?
Gjithmonë unë jam tip i dashur, dhe çdo herë jam e dashuruar fatmirësisht në Shqipëri.

Disa foto të tuat u komentuan për dukjen seksi në plazh. Si do e përshkruaje veten poshtë çadrës?
Poshtë çadrës ndjehem Shota origjinale, ashtu si jam, në kontakt me erën e detit, me nxehtësinë e diellit, siç zgjohem çdo mëngjes.

Çfarë marrëdhënieje ke me detin, të çon drejt aventurave apo marrëdhënieve serioze?
Deti s’më ka sjellë aventura asnjëherë (Qesh). S’kam pasur fat ndoshta, por detin e dashuroj dhe mendoj të kem një shtëpi pranë tij ku të ndiej qetësinë, larg njerëzve.

Ushtrohesh shumë në palestër para daljes me bikini?
Më shumë jam e kujdesshme në ushqim, ku veçoj sallatat që mund të më dalin nga sytë aq shpesh i konsumoj (qesh). Palestër gjithmonë…

2016 deri tani ishte viti i dramave apo kënaqësive shpirtërore për ty?
Mund të them se është viti i mrekullive shpirtërore pas humbjes së babait vitin e kaluar. Për fat ky vit ka qenë i mirë kështu që kam qenë mjaft e gëzuar.

Mes teatrit dhe muzikës ku ndihesh në planetin e duhur?
E padiskutueshme që teatri është vetë jeta ime, pasi muzika ishte hobi dhe ashtu vazhdon ende. Artin s’mund ta ndaj, edhe kur të jem e moshuar do të jem një aktore e lumtur.

Vitet që kalojnë të bëjnë të ndihesh e zbrazët apo më e plotë? Të tremb plakja?
Plakja s’më tremb aspak. Unë ndihem më e re se kurrë, por e kam të nevojshme një bebe këto kohë, dhe ky është qëllimi im kryesor tani.

Është martesa në planet e tua? Si mund të jetë burri që do të lidhësh jetën me të?
Pooooo. I vetmi burrë që dua është ai burrë që më do e më respekton. Unë do e dua 100 herë më shumë.

Do e falje tradhtinë?
Vetë fjala “tradhti” është e keqe. Mendoj që të gjithë bëjmë gabime në jetë. Nëse jo fizikisht, me mendime bëjmë gabime, e shumë madje. Po e desha partnerin do e falja. Për një flirt të shkurtër që ka pasur me dikë s’mund ta lë personin që e dua.