Shoku i ngushtë tregon historinë e Mirush Kabashit/ Si u martua me studenten disa vite më të re

Student, ai merrte kitarën dhe luante. Tingujt përhapeshin nga dhoma e konviktit në oborrin përbri. Ndodhte që ulej me shokët edhe para godinës, e atëherë grumbuj studentësh dëgjonin muzikën e tyre. Kohët më të bukura, ishin ato kur shkonin në mbrëmje vallëzimi, ose qoftë edhe në aksione. Darkat, kur televizioni italian “RaiUno” transmetonte “Canzonissima”, studentët gozhdoheshin dhe e ndiqnin, mësonin këngët që transmetoheshin aty, i shkruanin tekstet dhe në ditët në vijim me kitara në duar, këndonin Çelentanon. Kjo ishte rinia e Mirush Kabashit, që dje festoi 70-vjetorin e lindjes. “Gazeta Shqiptare” pyeti dje mikun e tij të kohëve të studimeve për jetën e tij. Profesor Josif Papagjoni, kritik arti e ka njohur Mirush Kabashin që kur ishin dy njëzetvjeçarë. Në këtë intervistë ai risjell në vëmendje disa prej roleve të mikut të vet, duke shënjuar njëherësh edhe disa prej momenteve më kyçe të jetës së aktorit të njohur. Vë në dukje natyrën mirënjohëse të Kabashit, por nga ana tjetër edhe karakterin pedant, kur vjen puna te shfaqjet e provat. Ai ka ardhur në jetë më 17 prill 1948 dhe është rritur në Durrës. Me origjinë nga Gjakova, ai është aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ka dhënë një kontribut të madh në kinematografinë shqiptare. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apologjia e fundit e Sokratit”. Më poshtë rrëfimi për jetën e Mirushit, nga një prej miqve të tij më të mirë me rastin e 70-vjetorit të lindjes.

Kur e ke njohur Mirush Kabashin?

E kam njohur që kur kemi qenë të dy në vitet tona studentore, në Institutin e Lartë të Arteve. Ky ka qenë dy vjet para meje dhe si student i binte kitarës. Unë i bija edhe vetë kitarës. Në fakt, ishim tre vetë që i binim kitarës, se përveç nesh, ishte edhe Edmond Mëhilli nga Shkodra. Kishte një farë konkurrence mes nesh në një sens se duke qenë studentë të arteve, kushdo që i binte kitarës kishte edhe një farë privilegji, me shokë, me festa, me alegri e me femra. Të gjithë studentët në Institutin e Lartë të Arteve takoheshin e njiheshin, shikonin rolet që realizonin gjatë procesit mësimor.

Si u bë i njohur ai?

Ai nuk kishte ndonjë sukses kështu në fillim. Nuk ishte ende i afishuar kur e njoha unë. Në një moment të caktuar, ai mori pjesë në një dramë që e kishte vënë në skenë Pirro Mani. Mirushi doli në skenë dhe ngatërroi një fjalë; thoshte: a keni një “shkapse, shkupse, shkrepëse”. Kjo ngatërresë krijoi shumë ilaritet dhe menjëherë Mirushi spikati si një aktor që mund të luante në komedi. Nuk kishte pse të luante në dramë dhe në tragjedi. Ashtu siç ka ndodhur me Roland Trebickën që kërkonte vazhdimisht role heroike, edhe Mirushi ka kërkuar role dramatike, emocionale, e heroike në rininë e tij.Mirëpo, portreti i tij, plastika e tij nuk ishin aq shumë të përshtatshme për to, ndaj ai spikati vetëm me një batutë dhe menjëherë u identifikua si një aktor komik. Dhe ka qenë gjenia e Piro Manit që e ka zbuluar dhe më pas ai u bë një aktor i jashtëzakonshëm i komikes.

Kur e forcoi emrin e tij si aktor?

Ai spikati pas viteve të studimeve universitare. Sidomos i dha dorë dhe e ngriti në hapësirën më të lartë të një aktori, tanimë tejet të talentuar dhe tejet të afishuar në skenën tonë, komedia groteske “Kartela e verdhë” e Haxhi Ramës. Aty kishte rolin kryesor dhe aty ka luajtur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe me të vërtetë figurat e tij më të paarritshme, në teatër për sa i përket komikes, ai i bënte shumë mirë. Rolet dhe lojën me groteskun, me belbëzimin që bënte e që e përdorte herë pas here edhe në role të tjera, si tek “Koncert në vitin ‘36″ – që te toger Shazivari që luan shumë bukur me belbëzimin. Herë pas here e përdor këtë element të bukur që e ka brenda vetes dhe di ta shfrytëzojë shumë mirë në interpretimin e personazheve të tij.Po në teatrin e Durrësit ka luajtur një rol tjetër të shkëlqyer nga Molieri. Bëhet fjalë për “I sëmuri imagjinar” ku interpretoi Profesor Diafarusin, që ka qenë një rol me të vërtetë shumë, shumë i bukur i Mirush Kabashit. Kështu spikati dhe u bë një aktor me agjendë dhe siç e dini pastaj karrierën e tij në film, ai realizoi role shumë të bukura karakteresh, njëri më i bukur se tjetri dhe të papërsëritshëm për nga formati, a individualiteti i tyre.

Nga koha që i binit kitarës kur ishit në Institutin e Lartë të Arteve, qoftë edhe për t’u rënë në sy vajzave të kohës, deri sot, si ka ndryshuar miqësia juaj?

Sa i takon raportit tim me të, unë kam pasur gjithnjë një raport miqësor, që e ruaj sot e kësaj dite. I jam shumë mirënjohës për herët kur ka përmendur emrin tim. Ai ishte bërë pjesë e Festivalit Eksperimental të Kajros në Egjipt. Juria i kërkoi një rekomandim, i kërkoi emrin e një kritiku shqiptar, që të shkonte në festival. Ai më rekomandoi mua si kritik dhe studiuesi i teatrit, për simpatinë që kishte për mua dhe për mendimet që unë kisha dhënë për shfaqje të ndryshme dhe për faktin që përfaqësoja diçka. Kështu, unë kam shkuar në Festivalin e Kajros, ku morën pjesë 56 trupa teatrore nga e gjithë bota. Kam qenë për 11 ditë në atë festival dhe ia kam këtë nder, le të themi borxh, emrit dhe respektit të Mirush Kabashit.

Çfarë muzike luanit ju me kitarë atë kohë?

Ne luanim kryesisht muzikë italiane. Muzikë të ndaluar, mund të thoni ju. Por kjo, në Akademinë e Arteve nuk ka qenë çudi sepse të gjithë, studentët ishin të prirur ndaj artit perëndimor, sidomos atij italian. Italia ka qenë një dritare e madhe e formimit tonë, jo vetëm në muzikë – me Çelentanon dhe me brezin e tij, por edhe në fusha të tjera të artit – film e spektakël. Kur mbaruam ne, ishte pak më e lirë lidhja me Italinë e artin e saj. Më 1973 u pengua çdo gjë, pas Plenumit të IV, u bllokuan dhe u frenuan. Para këtij plenumi çdo gjë ishte më e lirë. Gumëzhinte e gjithë Tirana kur kishte “Canconissima”. Bëhej pothuaj miting kur kishte “Canconisima”, sepse të gjithë donin ta ndiqnin.

Ku i dëgjonit?

Në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970 ishin shumë të ndjekura. Ata që kishin televizor në shtëpi, u kthehej shtëpia në kinema. Dhjetëra njerëz shkonin ta ndiqnin, ndiqej nga e gjithë rinia dhe nga i gjithë populli i Tiranës. E ndiqnim me pasion e me dashuri.

Ku shkonit të luanit në kitarë? Kishit ndonjë vend enkas?

Uleshim para konviktit. Në konvikt a në dhoma. Ose kur shkonim në mbrëmjë vallëzimi i binim kitarës. Ose në shoqëri e në grupe, mblidheshim duke kënduar sepse duke qenë të rinj, kishte entuziazëm. E njëjta gjë ndodhte edhe në aksione, ku krijoheshin mundësi për t’u mbledhur me grupe, me shokë e me vajza. Mirushi ishte një njeri që i binte kitarës dhe e donte atë. Nuk dua të them se isha më i mirë se ai në kitarë. Ishim amatorë të kitarës, por një aktor, kitara e plotësonte, aq më tepër që duke qenë të rinj, kitara na plotësonte se fitonim simpatinë e shokëve. Këndonim këngë të bukura, lirike, poetike, erotike. Këngë italiane këndonim ne.

Çfarë pasionesh ka Mirushi veç kitarës?

Ai është një njeri që ka pasur dy pasione në jetën e tij. Në rininë e tij ka pasur pasion muzikën dhe kitarën, e më pas ka pasur edhe notin. Ka qenë një nga njerëzit që ka notuar gjithë kohës. Sot e kësaj dite e ka pasion notin dhe noton me qindra metra. E kam parë vetë në Ksamil e në Sarandë. Është njeri që e ka pasion dhe nuk heq dorë as tani nga mosha që ka.

Ka një fizik të shkëlqyer dhe nuk vuan nga asnjë sëmundje. Është sportist amator, por që nuk e lë asnjëherë pas dore dhe gëzon shëndet të plotë. Martesa e tij ka qenë e vonshme, ai ka marrë një studenten e vet. Ajo ra në dashuri me të. Ishte pikërisht kjo natyrë që ka Mirushi me sa duket që e bëri për vete. Ai është shumë i dhënë ndaj të tjerëve, është mirënjohës. Unë e kam vënë re edhe për veten time. Ka treguar mirënjohje për çdo gjë që kam bërë për të.

E njihnit ju bashkëshorten e tij, i keni dhënë mësim?

Duhet t’i kem dhënë mësim. Unë nuk e kujtoj mirë. Ka qenë studente e arteve, ata u lidhën në mënyrë të habitshme. Ndoshta kanë një farë diference moshe, por ama ky është njeri mirënjohës dhe shumë skrupuloz. Nuk do llafe, nuk do debate. Është shumë kërkues, nuk bën shaka në prova. Është shumë pedant. Ashtu duket kur e sheh, sikur është me humor, por në punë, është shumë pedant dhe kërkues. Rri e punon me orë të tëra për rolet që ka. Është shumë shoqëror. Në “Allegretto Albania”, në Visbaden ky ishte jashtëzakonisht mirë, si aktor. Shfaqja u vlerësua me çmim të parë atje dhe ishte shfaqje e mirë me tekst të Çapalikut dhe regji të Altin Bashës.Sa u takon elementeve të tjerë të jetës së tij, për mua është shumë njeri i thjeshtë, është njeri që ka pasion shumë të madh, punën e aktrimin. Ai sot e kësaj dite, kur ka ndonjë aktivitet, flet me dashuri për artin e punon shumë. Kërkon ndihmë për të bërë shfaqje.

Për një kohë të gjatë ka kërkuar eshtrat e dajës së tij të dënuar në komunizëm. Këto problemet e tij familjare, këto njolla në biografi, nuk i nxorën probleme gjatë regjimit?

Ai është me origjinë nga Kosova, ju e dini këtë. Si shumë të tjerëve që kishin probleme në atë kohë, ata që kishin origjinë kosovare, shiheshin me dyshime nga Sigurimi i Shtetit. Mirush Kabashi nuk ka pasur ndonjë privilegj në një farë sensi nga pushteti i asaj kohe, por ishte talenti i tij që e bëri të njohur. Sigurisht ai nuk ishte ndonjë biografi, siç ishin disa të tjerë që nuk mund të merrnin as bursë. Ai mori bursë dhe gjersa doli në filma, kishte një farë vule miratimi nga institucionet e censurës, por nuk ka qenë nga të përkëdhelurit e artit në komunizëm. Çdo gjë që ka marrë, e ka arritur me punë dhe me talent. Sidomos në fushën e komedisë, ai mundi të realizojë gjëra shumë të bukura, që u pëlqyen menjëherë. Ashtu si Robert Ndrenika. Edhe Robert Ndrenika e kishte vëllain në Greqi, në Korfuz. Por kishte talent dhe arriti të ecte para, të binte në sy, të kishte sukses, pavarësisht “njollës” në biografi. Edhe Mirushi po ashtu. Të dy, arritën ta tejkalojnë e ta superojnë censurës. Sigurisht që kanë qenë të kujdesshëm sepse një gabim i vogël, mund t’i hiqte nga arena e teatrit dhe e artit a filmit.

Roli i tij më i suksesshëm ka qenë “Apologjia e Sokratit”. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Një nga rolet e mëdha të tij është Sokrati, që e bëri në periudhën e viti 1997. Mori çmim në Kajro në kohën kur tanket qenë rrugëve të Shqipërisë. Kur shfaqja e tij u vu në skenën shqiptare, ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme, e një publik që kërkonte hakmarrje ndaj klasës politike shqiptare. Ai e dha shfaqjen edhe në Butrint, ka qenë një shfaqje në nivele më të larta ta aktrimit tonë. Unë e kam ndjekur shfaqjen me Kadri Roshin në Butrint. Ishim ulur bashkë, sepse po i bëja monografi Kadriut. Ishte një kohë që rrinim shumë kohë bashkë. Sa mbaroi shfaqja, Kadriu pa i thënë askush, nga emocionet, u çua dhe doli në skenë dhe e puthi në ballë Mirushin. Shkova dhe e pashë Mirushin, nga koka te këmbët kullonte djersë. Ai tha “të lumtë”. Kadri Roshi nuk ishte një njeri që mburrte njeri kollaj. Kadri ishte pak cinik e nuk mburrte kollaj njeri, as nuk falte kollaj njeri. Por, u detyrua ose u ndje aq i emocionuar nga loja e bukur e Mirushit dhe të të komplimentojë Kadri Roshi, nuk është pak. I tha: “Kam qenë e të kam parë. Shumë bukur! Urime! Të lumtë!”. Nuk çohej kollaj Kadri Roshi të përshëndeste njeri.