Shkënda Lili: Unë detektivja private që zbuloj pabesitë në biznes dhe tradhtitë në çift

E apasionuar, inteligjente, e mprehtë dhe e bukur, jeta e saj në Shqipëri i ngjason asaj të një agjenteje 007. Shkenda Lili është detektivja private që bëri bujë në media, pasi doli me zë e figurë duke rrëfyer në ekran jetën e një profesionosteje guximtare, të besueshme dhe të suksesshme. Për revistën “Story” ajo tregon të gjitha hapat që duhet të ndiqni për të zbuluar gjithçka të tjerët mund të bëjnë pas shpinës suaj.

Ku qëndron veçantia jote si vajzë, pra si mund të provohej inteligjenca e veçantë qe ke që të mund të besojmë një sekret, dyshim, fiksim apo një të vërtetë që duhet zbuluar?
Veçantia ime është se arrij të kuptoj nëse ka tradhti apo jo vetëm me përshkrimin që më bën klienti të situatës. Që aty e kuptoj çfarë po ndodh, dhe thjesht pastaj më duhet foto që ta vërtetoj.
Janë më shumë femrat ato që duan të zbulojnë tradhtitë e burrave te tyre, apo meshkujt për gratë?
Në fakt femrat vijnë më shumë në zyrën time, sepse femrat janë më shumë të fiksuara. Por ka edhe meshkuj dhe në fakt meshkujt kanë një qëllim të caktuar që vijnë. Ata duan prova për t’i dhënë fund divorcit, sepse në fakt marrëdhënia e tyre ka marrë fund, kështu që duan prova në mënyra që rëndesa e fajit mos të bjerë vetëm mbi partnerin.
A mund të ndash me ne një sekret se si kuptohet që dikush po bën një pabesi, domethënë një sjellje apo veprim që e bëjnë tradhtarët?
(Qesh) Në fakt sekretet e punës nuk mund t’i nxjerr, por ka një sërë shenjash që mund të kuptohet.
Po ja nëse dikush ka një dyshim apo brengë, cilat janë disa nga hapat që duhet të ndjekë për të nisur procedurat e investigimit pranë zyrës suaj?
Nëse dikush kupton që diçka në jetën çift apo në biznesin e tyre nuk shkon si duhet, atëherë duhet patjetër t’i drejtohet një zyre detektive, ku aty rrëfen të gjitha dyshimet mbi partnerët e tyre me të dhëna ekzakte. Pasi të bien dakort lidhim një kontratë ku firmosim të dyja palët; klienti dhe detektivi. Pas kësaj detektivit i duhen 2-3 javë kohë për të zbuluar çdo tradhti në bisnes, apo në çift.
Në ç’rast një grua duhet t’ia vërë veshin një dyshimi, që mund të duket dhe fiksim i kotë?
Së pari ndryshimi i papritur i sjelljes, dhe së dyti ftohja mes çiftit. Kujdesi i partnerit ndaj telefonit, përkushtimi në paraqitjen e jashtme, gjë që më përpara nuk e bënte, etj. Ka shumë gjeste që një femër e zgjuar i kupton shumë mirë.
Është kjo një punë që të jep pagjumësi apo ankth, dhe si e përballon?
Po kjo punë ka shumë vështirësi, lodhje, ankth në momente të caktura ekziston dhe frika, ndaj në si detektivë duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë.
Si mundet që një detektiv të mos bjerë vetë në grackën e dikujt?
Një detektiv i mirë duhet të jetë me shumë energji, shumë i stërvitur shumë i mprehtë që të menaxhojë çdo situatë. Falë Zotit deri tani nuk na është dashur të përballemi me situata të tilla përveç pagjumësisë! Kur them “ne” flas në numrin shumës, sepse nuk jam vetëm unë, kam edhe kolegët e mi, të cilët punojnë për mua sepse investigimet nuk bëhen asnjëherë vetëm. Duhet të jemi patjetër dy vetë që të manovrohen situata e pakëndshme.
Ke një model suksesi në këtë fushë që e ndjek në punën tënde?
Unë veten e quaj me sukses, kur ke arritur të kapësh provat dhe aty ndihem e lumtur në punën që bëj.
Sa para duhet të kesh me vete për një investigim të caktuar?
Puna e detektivit është shumë e lodhshme, por ka edhe shumë kosto. Ndaj kjo duhet të shpërblehet, por gjithsesi çmimet janë të përballueshme.
Ke shumë raste në shqyrtim, pra sa çështje ke deri tani në proces investigimi?
Kam çështje në dorë. Edhe pse është kohë pushimesh kolegët e mi punojnë pavarësisht se unë muajin gusht e kam bërë pushim.
Mund të rendisësh disa nga kurthet që dikush që mund të jetë në investigim e sipër duhet të ketë kujdes?
Kujdes! Qetësia e partneres mund t’ju vrasë! ( qesh)

 

Shkënda Lili: Të gjitha sekretet e suksesit si detective

Po si i lindi Shkënda Lilit ideja për hapjen e agjencisë investigative D.I.A, që duket se ka brenda aksionin, aventurën dhe rrezikun? Për revistën “Story” Shkënda tregon: “Në fakt nuk do e quaja biznes, por do të më pëlqente ta konsideroja profesion, sepse unë kam mbaruar shkollën për të qenë detektive. E them këtë, pasi biznes mund të hapë çdo individ, por që të kesh “profesionin e detektivit” së pari duhet të kesh mbaruar studimet përkatëse. Pra duhet të kesh mbaruar disa specializime dhe mbi të gjitha ta kesh pasion, të kesh durim, guxim, të jesh vigjilente gjatë gjithë kohës dhe të jesh i padukshëm në punën që bën. Këtu është i gjithë sekreti, pra të kamuflohesh sa më mirë. Prandaj jo çdo kush mund të bëhet detektiv”, përfundon Shkënda rrëfimin e saj për revistën “Story”.