Shkëmbim i bujshëm, Barcelona ofron 80 milionë euro plus Suarezin për Dibalën

Barcelona është në momentin e saj më të vështirë të dekadave të fundit, ndërsa rrezikon të humbasë yllin e skuadrës Lionel Mesi, por edhe shumë kampionë të tjerë janë me valixhe në duar, përfshirë Luis Suarezin, të cilit i është treguar dera nga trajneri i ri Kuman. Dhe katalanasit do të provojnë që përmes sulmuesit uruguaian, i cili është një dëshirë e merkatos së Juventusit, të gjejnë edhe zëvendësuesin e numrit të tyre 10. Sipas spanjolles “Don Balon”, gjigantët e La Ligës janë gati t’u ofrojnë bardhezinjve 80 milionë euro plus kartonin e “Pistoleros” për të transferuar në “Camp Nou” Paulo Dibalën.

Gjatë ditëve të shkuara, Andrea Pirlo e blindoi “Joya”-n, i cili do të jetë në qendër të projektit të tij të ri në Torino, por në rast të një oferte të rëndësishme, kampionët e Italisë mund të mendojnë seriozisht për të hequr dorë nga numri i tyre 10 dhe të sigurojnë edhe Luis Suarezin, i cili është një objektiv i Paratiçit për sulmin.

Sulmi – Gjithçka mbetet e bllokuar, kohët shtrëngohen dhe Juve e ka me nxitim. Sepse Andrea Pirlo ka nevojë sa më shpejt që të jetë e mundur për një sulmues, mbi të gjitha pasi Higuain është dërguar te dera pa shumë komplimente: argjentinasi, me të cilin prej kohësh po negociohet largimi, ishte i vetmi “9” në skuadër dhe në këtë rol duhet gjetur menjëherë zëvendësuesi për boshllëkun që është krijuar.

Drejtori Fabio Paratiçi ka lëvizur prej kohësh dhe ka vendosur duart mbi Edin Xhekon: sulmuesi boshnjak i pëlqen shumë Pirlos, i cili e vlerëson si lojtarin ideal për të bërë partnerin e sulmit për Kristiano Ronaldon, por për të mbërritur te boshnjaku gjërat janë të vështira, për shkak të trekëndëshit me Romën dhe Napolin, që përfshin edhe Arkadiuz Milikun. Nëse polaku, një moment ishte zgjedhje e parë e Juves, do të shkonte te Roma, atëherë efekti domino që do të niste, do t’i vendoste të gjithë gurët shumë shpejt në vendin e tyre. Dhe për këtë arsye, por edhe prej uljeve të pretendimeve të Suarezit për rrogën, Juventusi e ka prerë timonin në një tjetër drejtim, duke e bërë një operacion edhe më joshës pistën e uruguaianit sesa është aktualisht ai i Xhekos, që vijon të mbetet pezull.

PANORAMASPORT.AL