Shiste kokainë për VIP-at në Tiranë, si e zbuloi agjenti i infiltruar oficerin e RENEA-s

Efektivi i RENEA-s i arrestuar tre ditë më parë për shpërndarje kokainë pranoi sot përballë gjykatës se droga që u gjet në një banesë gjatë operacionit është e tija. 27-vjeçari ka mohuar të ketë bashkëpunuar me dy personat e tjerë, Gevi Spahiu dhe Jurgen Luli që u arrestuan për shpërndarje të kokainës.

Burime nga prokuroria bëjnë me dije se, Rael Luli po mbahej nën vëzhgim nga efektivë të shërbimit për çështjet e Brendshme dhe Ankesat që kanë infiltruar një agjent duke blerë një sasi kokaine nga Luli, që pas testimit ka rezultuar në masën 80% e pastër. Nisur nga cilësia e lartë e lëndës narkotike hetuesit kanë dyshime se grupi synonte vetëm klientë të përzgjedhur. Janë të njëjtat burime që bëjnë me dije se efektivi, nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë sa i përket personave të tjerë ku siguronte lëndën narkotike.

Gevi Spahia e Jurgen Luli u arrestuan në një apartament të marrë me qira në kryeqytet që dyshohet se përdorej si bazë për trafikimin e lëndëve narkotike. Në fund gjykata la në burg efektivin e RENEA-s Rael Lulin dhe dy të arrestuarit e tjerë Gevi Spahia e Jurgen Luli.

Ndërsa 2 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, përkatësisht Gertjan Harapi e Ergi Sala. Nga kontrolli i kryer në banesat që dispononin të arrestuarit u gjetën dhe sekuestruan rreth 434 gramë kokainë, 576 gramë kanabis, 100 gramë ekstazi si fara të dyshuara për kultivimin e bimëve narkotike. Po kështu u gjetën edhe 7 peshore që shërbenin për ndarjen dhe paketimin e lëndës narkotike, si 11,890 euro dhe 3 pistoleta.

/ ABC