Shfaqet pas 1 muaji zhdukje sulmuesi i Tiranës, drejtori Osmani zbulon të vërtetën: Do të stërvitet me skuadrën…

Derrik Sasraku u tha se është larguar nga Tirana. Ishte trajneri i Tiranës asokohe, Nevil Dede, që njoftoi ndarjen nga bardheblutë. Bëhet fjalë për fillimin e janarit. Te bardheblutë u blenë tre sulmues, ndërsa ganezi u zhduk nga qarkullimi.

Ama sulmuesi dje u shfaq me skuadrën. Kishte më shumë se një muaj që nuk shkelte në “Skënder Halili”, duke i habitur të gjithë, pasi e dinin në Gjermani. Gjithsesi, lojtari zhvilloi stërvitjen me grupin në pjesën e parë të përgatitjeve dhe më pas, për më shumë se 20 minuta, vrapoi rreth fushës me bar sintetik. I pyetur rreth këtij rikthimi në ekip, drejtori teknik Tefik Osmani deklaroi se lojtari do të stërvitet me ekipin për një kohë të caktuar.

“Sasraku do të stërvitet me ekipin derisa të mbyllë dokumentacionin dhe të transferohet në Ganë. Është vetëm për stërvitje, jo për lojë”, tha ai.

Në fakt, lojtari ka një muaj që nuk stërvitet me skuadrën. Zëra thonë që futbollisti nuk ka dashur që ta prishë kontratën me Tiranën dhe mes tij e klubit ka një luftë nervash. Për sa i përket stërvitjes, skuadra ka qenë me mungesa. Danso dhe Vangjeli u stërvitën veçmas, ndërsa Halili, Torasa dhe Najdovski nuk ishin fare në stërvitje.

PANORAMASPORT.AL