Shefi i Urgjencës: Entuziazmi për t’i mësuar njerëzit na mori më qafë
Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili rezultoi pozitiv në testin e parë ndaj koronavirusit, tha se e priste një gjë të tillë, si pasojë e kontakteve të shumta.
Në një lidhje me Skype për “Opinion”, Brataj u shpreh se janë bërë trajnime me mjekët për përballimin e situatës, ndërsa shtoi se nxitimi për t’i treguar njerëzve sa më shpejt se çfarë duhet të bëjnë “na mori më qafë”.
“Qytetarët e dinë se kjo betejë e padukshme kërkon të bëhemi ne të padukshëm. Distancomi social i shërben dhe fakti që ne jemi pozitiv, nuk e dimë, por nuk do të infektonim të tjerët. Edhe nëse do marrim masa, nëse do na shfaqen simptomat, duhet të tregojmë kujdes të mos shkojmë për vizita, sidomos te gjyshërit dhe prindërit. Shoh njerëz gjithandej, nëpër tarraca, grupe njerëzish. Kjo është e keqja më e madhe sepse deri sa nuk e di, të duket sikur nuk do të ndodhë. Jo që unë nuk e dija, sepse kam pasur shumë kontakte, duke veshur personelin mjekësorë, duke bërë trajnime dhe entuziazmi që t’i mësoje sa më shpejt njerëzit na mori më qafë vetë, për t’ja treguar sa më shpejt njerëzve se çfarë duhet të bëjnë, por këto janë rreziqet e profesionit”, u shpreh Brataj.