“Shampanjë, jahte dhe luks i shfrenuar”/ Djemtë pasanikë të Tiranës që habisin mediat gjermane

Gazeta gjermane Stern, u ka kushtuar një shkrim fëmijëve të pasur të Shqipërisë, të cilët reklamojnë pasuritë e tyre në Instagram. Gazetarët gjermanë kanë ardhur në Tiranë dhe kanë takuar nga afër, 4 prej tyre. Indrit Murati, Aldo Boni, Xhodi Daci dhe Lindi Dedja, janë 4 nga fëmijët e pasur të Tiranës, të cilët shpenzojnë deri në 4 mijë euro brenda një nate në klub-et e Tiranës.
Makinat e fundit, çanta me para, jetë luksi dhe helikopter në oborrin e shtëpisë! Kjo është jeta e fëmijëve të pasur të Tiranës, për të cilët, gazeta gjermane “Stern” ka publikuar një shkrim.
Stern ka qenë në Shqipëri dhe ka parë nga afër sesi jetojnë këta fëmijë. Faqja Richkidsofinstagram ka më shumë se 635 mijë postime, ku fëmijët e pasur të Tiranës tashmë luajnë “ashpër në ligën e Kampionëve”, shkruan gazeta. Grupi i gazetarëve gjermanë kanë takuar 4 nga këta “fëmijë të pasur”, që realisht janë të rritur dhe të mbuluar me para.
“Shqiptarja.com” sjell të plotë shkrimin për fëmijët e pasur të Tiranës. Kush janë këta njerëz, që mendojnë se është bukur të djegësh kartmonedha 50 euroshe? Kush janë këta fëmijë me Rolex në dorë, shishe me shampanjë, dhe me valixhe ku prerjet prej 100 dhe 500 euro qëndrojnë hapur. Kuptuam se shqiptarët janë shumë mikpritës dhe jo vetëm kriminelë. Administratori i RichkidsTirana në Instagram, u përgjigj menjëherë kur i dërguam mesazh. “Hej, duam të shkruajmë një histori për fëmijët e pasur në Shqipëri,” i shkruam. “A jeni ju vetë një i tillë?”
– “Jo”, përgjigjet ai,-“Kjo është arsyeja pse unë qëndroj anonim, por unë mund t’ju them gjithçka për mënyrën e jetesës së tyre.”
– “Tingëllon mirë. Por ne do të donim t’i takonim. A mund të na ndihmoni? ”
“Sigurisht”- na u përgjigj. Shqiptarët janë shumë mikpritës, jo vetëm kriminelë. Ju do të shihni. I gjithë vendi është në tranzicion. Shqipëria është një Gjermani e vogël “.
Dy javë më vonë, shkuam në Shqipëri. Zbritëm nga avioni dhe kur vazhduam rrugën në autostradën drejt Tiranës kuptuam atë që ai na tha. Për një arsye, shqiptarët janë shumë gjermanë. Askund në botë nuk mund të gjeni kaq shumë Mercedes sa këtu. Kush ndalon në rrethrrotullim humbet…
“Në të kaluarën, mund të blije një patentë shoferi”, na shpjegon shoferi ynë. Por tani kjo gjë ka ndryshuar. “Prisni, pasi pas disa vitesh, këtu do të jetë si Gjermania”-vazhdon. Gjermania. Modeli. Vendi i dëshiruar, në të cilin mijëra njerëz kanë ikur pas rënies ekonomike të Shqipërisë në fund të viteve ’90-te, dhe në të cilën shumë njerëz ende po kërkojnë pasurinë e tyre sot.
50 euro për një foto të postuar në Instagram, jo fitim i keq
Ora 8 e darkës. Takojmë administratorin e faqes. E dimë emrin e tij, por jo mbiemrin. Duket si një student i shkencave kompjuterike. Ai na thotë se për një foto të postuar në faqen e tij në Instagram, fëmijët e pasur të Tiranës e paguajnë 50 euro. Nëse do të ishte një administrator i një faqeje normale, atëherë fitimi do ishte 350 euro në muaj. Kjo është paga mesatare në Shqipëri. Edhe pse ekonomia rritet me rreth tre për qind çdo vit, vendi është ende një nga më të varfrit në Evropë. Administratori i kësaj faqeje i ka ndarë në dy kategori. Të parët janë “showmen-ët”, të cilët blejnë një makinë të shtrenjtë para një shtëpie, vetëm për t’u mburrur. Dhe “Të pasurit e çmendur”. Super të pasur, para pa fund, Maybach dhe makina S-class.

***

Një prej tyre është Indrit Murati, 27 vjeç, me mjekër, me tatu dhe pantallona të shkurtra. Ai është pjesë e grupit të fëmijëve të pasur në Shqipëri, si dhe menaxhon disa këngëtarë hip-hopi. Indrit Murati ka ndërtuar një nga portalet më të mëdha në Shqipëri, “Shqipëria Ime”.
Ai është krenar për vendin e tij. Sepse e ka bërë atë që ai është sot. Në gjoksin e tij, shqiponja me kokë të dyfishtë përhap krahët, si në flamurin e Shqipërisë.
“Shumica e shqiptarëve të pasur të gjeneratës sime kanë trashëguar paratë nga familjet e tyre”, thotë ai me keqardhje. “Por unë vetë e ndërtova perandorinë time, dola në rrugë dhe u futa nëpër klube”. Indriti thotë se ka nisur të shkruante tekste muzikore. Ai ishte djali i një mësueseje dhe një ushtari. “Nuk e mbaj mend kurrë ka qenë hera e fundit që kam menduar për paratë, por duhet të ketë qenë shumë kohë më parë, por kurrë unë nuk e harroj se nga kam ardhur, kush isha dhjetë vjet më parë”. “Unë nuk jetoj për nesër, unë jetoj këtu dhe tani, gëzoj çdo moment”. Ai dhe miqtë e tij shpenzojnë 3000, 4000 euro kur dalin për një mbrëmje. Dhe ne e pamë vetë këtë gjë.
Shkuam në një nga klubet më të njohura të Tiranës, por rruga drejt klubit ishte me gropa dhe zhavorr. Parkuam Opelin tonë të marrë me qira, pranë një Bentley, Mercedes Benz dhe Audi.
Është e dukshme se jemi ne që jemi të mangët në këtë mbrëmje…
Kalojmë në tapetin e kuq, dhe aty na pret Indriti me të dashurën e tij dhe me një shishe shampanjë. Shishja kushton 300 euro, dhe kushdo që kërkon të rrijë në zonën VIP duhet të paguajë. Shishja nuk hapet. Kjo gjë nuk ka stil për ta. Fëmijët e pasur të Tiranës preferojnë shishe të tjera. Vodka dhe uiski, vijnë në tavolinë me kova të mëdha akulli dhe shfaqje fishekzjarrësh. Djemtë si Indriti në këtë moment ndodheshin në shtëpitë e tyre verore në jug të Shqipërisë, ku uji është jeshil dhe temperatura optimal.

***

Pas Indritit, ne takuam Aldon, Aldo Bonin. Mënyra e tij e jetesës: 3 makina, 5 shtëpi dhe udhëtime mes Greqisë dhe Shqipërisë. 31-vjeçari ka një mbretëri, ku jeton me pishina dhe ku në njërën anë luajnë fëmijët e në anën tjetër është zona VIP. Ai thotë se është biznesmen, se ka dhjetëra dyqane dhe qindra të punësuar. Ai nuk dëshiron të radhitet pranë fëmijëve të politikanëve të korruptuar, të cilët gjithashtu janë të shumtë këtu. Prindër, të cilëve drejtësia po u del kundër…
Shqipëria është në listën e kandidatëve të pranimit në BE. Vendi pranohet vetëm në qoftë se korrupsioni vihet nën kontroll.
“Mos u shqetëso. Ne shkruajmë për ata që fitojnë paratë e tyre me ndershmëri.”- qetësuam Aldon.
– “Mirë,” përgjigjet Aldo. “Çfarë doni të dini?”
“Si jetoni, sa para shpenzoni?”
-“Nuk jam kurrë i kënaqur me atë që kam,” thotë ai.
-“Unë gjithmonë dua më shumë. Por unë punoj shumë çdo ditë. Unë jam ambicioz. Kokëfortë.”
“Jeta ime? Unë kam tre makina, pesë shtëpi. Shtetësi të dyfishtë. Koleksionoj ora, femra dhe makina. Të trija për mua lëvizin me frekuencë të barabartë.”

Orë ari, unazë ari me brilantë, zinxhirë ari të trashë, atlete të lara me ar gjithashtu.
Por vazhdojmë…
Ne duam të takojmë edhe dy fëmijë të tjerë të pasur… Para se ne të vinim, administrator publikoi një foto në Instagram se disa nga fëmijët e pasur të Tiranës do takoheshin me gazetarët gjermanë. Inbox-i i tij, tashmë është plot.
“Po ta dija, do të kisha bërë para,” thotë ai. 3000 ndjekës të rinj në dy javë, që pas postimit.
“Të gjithë po çmenden këtu, një histori në mediat gjermane, kjo është një punë e madhe!”
Edhe një nga njerëzit më të pasur në vend është kthyer për ne më herët nga udhëtimi i tij me jaht…
***
Xhodi Daci është ulur në një karrige duke pritur për ‘zemrën’ e tij. Gjithçka rreth 30-vjeçarit shkëlqen. Ora ari me vlerë 43 mijë euro, unazë me vlerë 2500 euro, Atlete 2500 euro,dhe gjerdani 4500 euro. Ai e pranon hapur se do të shfaqë pasurinë e tij.”Po, pse jo? Unë nuk isha askush, tani jam dikush, pse nuk duhet ta tregoj?”-thotë Xhodi.
“Ne u munduam jo 8, por 16 orë. Tregu shqiptar ishte i uritur për çdo produkt nga jashtë. Unë shkova në Gjermani, bleva çdo gjë që erdhi në gishtat e mi, cigare, etj. Ishin kohë të arta, shteti nuk ekzistonte, nuk paguanim taksa, nuk kishim konkurrencë – gjithçka që fitonim ishte fitim i pastër “.
Ai thotë se këto para i ka investuar në një kompani ndërtimi.
“Shqipëria është shumë më tepër se droga, korrupsioni dhe mafia”
Infrastruktura në Shqipëri ishte e mjerë, ku mungonin hapësirat. “Njerëzit kishin nevojë për shtëpi dhe ne i ndërtuam ato”-thotë Xhodi.
Përveç vilës së tij, ai ka disa makina. Ka një Maybach, një S-Class, një Mercedes-AMG S 63, një Audi S Line dhe sigurisht Corvette e tij.
Çfarë dëshiron të blejë më pas?
“Një avion privat do të ishte mirë,” thotë ai, sikur të ishte diçka plotësisht normale.
Po, pse jo? Unë jam i sigurt se kjo do bëjë ‘namin’ në Instagram. 27, 30, 31 vjeç, ata janë të gjithë shumë të vjetër, menduam për fëmijët e pasur të Tiranës.
“Ku janë djemtë? A janë ata të pasur? Dhe përse nuk ka kurrë gra në faqen tuaj?”-pyetëm administratorin. “Jo, jo, ata nuk duan të shfaqin gratë thotë ai. Këtu nuk është si Gjermania.”-na thotë.

***
Na thotë se do të na njohë me një djalë shumë të mirë. Lindi Dedja, 22 vjeç. Ai rri me shokët e tij në bulevardin e ri, një nga rrugët më të mira të Tiranës. Fenerë të mëdhenj ndriçojnë djemtë dhe makinat e tyre. Ata pinë duhan dhe pije energjike. Pija Golden Eagle i përket babait të Lindit. Për disa vite ai do të jetë shefi i kompanisë, me të cilin po punon. “Lindi ka një motër të vetme, dhe shanset janë të mira për të”-bën shaka njëri prej shokëve.
Makina, sigurisht Mercedes, është krenaria dhe gëzimi i Lindit. Ai e pikturoi atë me ngjyrë të kuqe, me grimca të artë, kështu që shkëlqen kur kalon me të nëpër Tiranë.
“Ngjyra është unike në Shqipëri dhe ka kushtuar plot 5,000 ” thotë ai.
Ai rri gjithë ditën në Instagram dhe thotë se ajo është jeta e tij.

“Gjithë jeta ime është në Instagram, unë jam duke postuar histori gjatë gjithë ditës, në lidhje me makinën time, ushqimin, ku jam me pushime apo duke bërë biznes.”-thotë Xhodi.
Kështu është jeta e fëmijëve të pasur të Tiranës. Pozo dhe posto. Gjithë ditën! Kemi vetëm një pyetje të fundit për ta: Pse mbani zinxhirë ari nën këmishë?
“Epo, çdo gjë tjetër do ishte shumë e lirë. Vetëm zinxhiri tregon vërtetë vlerën që ka.”-thonë ata. / Shqiptarja.com