Shakira thyen heshtjen: Po kaloj periudhën më të errët të jetës sime
Shakira ka thyer për herë të parë heshtjen për ndarjen nga Gerard Pique. Këngëtarja ka folur për revistën Elle, ku pranoi se është në “periudhën më të errët të jetës “. Gjatë intervistës ajo u shpreh se përballjen me dhimbjen e zemrës e ka ndjerë “një ëndërr të keqe”.
“Është vërtet e vështirë të flasësh personalisht, sidomos pasi kjo është hera e parë që e kam trajtuar këtë situatë në një intervistë. Kam qëndruar e heshtur dhe thjesht jam përpjekur t’i përpunoj të gjitha. Është e vështirë të flasësh sepse ende po e kaloj”, tha këngëtarja, duke shtuar se ndarja “nuk është si një ndarje e rregullt” për shkak të famës së tyre të madhe.
Shakira tha se ka qenë e kujdesshme për t’i mbrojtur dy fëmijët e saj, Sasha, 7 vjeç dhe Milan, 9 vjeç, nga kaosi që është krijuar, duke shpjeguar se si vëmendja e medias ka qenë “tepër e vështirë” për djemtë e saj. Por me famën që ka, ajo tha se gjetja e qetësisë ndonjëherë mund të duket e pamundur. “Nuk ka vend ku mund të fshihem prej tyre me fëmijët e mi, përveç shtëpisë sime”, tha Shakira.
“Ndonjëherë ndihem sikur e gjithë kjo është një ëndërr e keqe dhe se do të zgjohem në një moment. Por jo, është e vërtetë”, u shpreh ajo. Shakira vazhdoi duke thënë se ka qenë “duke luftuar në fronte të ndryshme”, duke përmendur gjithashtu shëndetin e babait të saj, i cili është i sëmurë.
Pavarësisht gjithë përpjekjeve, Shakira tha se po përpiqet për të qëndruar “rezistente” për djemtë e saj. E pyetur se si ia del, ajo u përgjigj: “I kujtoj vetes se duhet të bëhem shembull për fëmijët e mi, se unë duhet të jem ajo që ata duan dhe çfarë dua unë që ata të bëhen. Dua të jem aty, për të gjithë njerëzit që më kanë treguar dashurinë dhe mbështetjen e tyre. Kjo është forca ime më e madhe. Ky është motori im më i fuqishëm për momentin”.