Shakaja e Ramës për Putin dhe Prigozhin, media italiane: Makabre, të ftuarit u vunë në siklet

Media italiane “il Post” ka komentuar deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Forumin Strategjik të Bled-it. Në artikull shkruhet se Rama bëri një shaka makabër për vrasjen e Prigozhin.

“Rama tregoi një shaka disi makabre për vrasjen e Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit Wagner i cili vdiq në rrëzimin e avionit të tij privat javën e kaluar në Rusi’– shkruhet në artikullin e medias italiane, ku më pas citohet fjala e Ramës.

“Nuk e di nëse keni dëgjuar që në Rusi janë duke u zhvilluar negociata për unifikimin e zonave kohore, sepse tani ka një diferencë prej nëntë orësh midis një pjese të vendit dhe një tjetër. Zoti President, ne kemi një problem. E dërgova familjen me pushime dhe i thirra për t’i thënë natën e mirë, por tashmë është mëngjes në shtëpinë e tyre dhe ata ishin në plazh. I telefonova Olaf Scholz-it për ta uruar për ditëlindjen e tij, por ata thanë se është nesër. Telefonova Xi Jinping për t’i uruar Vitin e Ri, por ata më thanë se është ende viti i vjetër”.

Dhe Putini thotë: “Po, edhe mua më ka ndodhur: thirra familjen e Prigozhinit për t’i shprehur ngushëllimet, por avioni nuk ishte nisur ende”.
Sipas medias italiane, në sallë pati të qeshura, por midis të ftuarve kishte edhe disa sekonda sikleti.

Lapsi.al