Sfilata e Chanel: Hyrja e mbesës së Grace Kelly, Charlotte Casiraghi, edhe pëlqehet edhe kritikohet

Charlotte Casiraghi është e njohur si kalorëse, modele dhe ambasadore e përkushtuar e Chanel, por deri këtë javë, nuk ka pasur mundësinë që t’i kombinojë të treja këto tipare të saj.

Të martën, Chanel organizoi shfaqjen e modës Haute Couture Pranverë/Verë 2022 në Grand Palais Éphémère dhe fillimi ishte befasues për të gjithë të pranishmit: Charlotte Casiraghi hyri me kalë dhe bëri një xhiro në pasarelë.

35-vjeçarja u shfaq në pasarelë me një xhaketë të zezë Chanel, pantallona dhe çizme.

Charlotte – mbesa e aktores amerikane Grace Kelly, e cila u bë edhe Princesha e Monakos kur u martua me Princin Rainier III në prill 1956 – ka një lidhje të ngushtë me Channel. Nëna e saj, Princesha Caroline e Monakos, ishte një shoqe e ngushtë e Karl Lagerfeld dhe në vitin 2019, ajo veshi një fustan Chanel – që nderonte gjyshen e ndjerë, Grace Kelly – kur u martua me producentin e filmave Dimitri Rassam. Në vitin 2020, Charlotte u bë zyrtarisht ambasadore e markës.

Hyrja me kalë bëri bujë, por nuk u mirëprit nga të gjithë. Disa njerëz dënuan përdorimin e kalit në një mjedis komercial. “Kaq e panevojshme të përdorësh kafshë në parada!” shkroi dikush në Instagramin e Chanel. “Sa e panevojshme është të kesh një kalë të ecë në pasarelë? Vetëm për argëtimin e të pranishmëve? #abuzimi me kafshët”, shkruan një tjetër.

“Shumë e zhgënjyer nga Chanel. Ndoshta jeni dakord edhe me kafshët që përdoren në cirk? Njerëzit kanë luftuar prej vitesh duke eleminuar gradualisht përdorimin e kafshëve për qëllime argëtimi. Nuk ka nevojë të përdorni kafshë për të fituar para nga dhe për argëtimin e njerëzve në ditët e sotme,” lexohet në një tjetër koment.

Të ulur në rreshtin e parë për të parë sfilatën ishin njerëz të njohur të modës, duke përfshirë Anna Wintour, Pharrell, Margot Robbie, Sofia Coppola etj.