Sfida më e madhe e spektakleve live në Shqipëri, një rrëfim në TAR nga Ergys Lubonja!
Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar në studio regjisori i njohur, Ergys Lubonja për të na folur pak më shumë rreth spektaklit “A Live Night” që nis nesër në mbrëmje në orën 21:00 në Top Channel. Si lindi “A Live Night”, çfarë ka dashur Ergysi të sjellë në këtë spektakël unik dhe shumë detaje të tjera, i zbuloni duke klikuar në këtë link.
Ndërkaq, si ka lindur ideja për të bërë një spektakël live dhe cila ka qenë sfida më e madhe?
Përgjegjësia ka qenë e madhe si në drejtimin teknik muzikor sepse “Top Show” është i pari që risjell të kënduarit live në një spektakël shqipar dhe në aspektin teknik ishte një sfidë më vete sepse ishte një vakum gati 15 vjeçar të të kënduarit live në skenat shqiptare. Kemi qenë shumë të rinj dhe të kaluarit në një spektakël me të ftuar, muzik, ngarkesë muzikore, ishte sfidë e madhe. Sfida e dytë është ana televizive, e të kaluarit nga një emision me 3-4 kamera në një emision me mbi 8 kamera. Sa më shumë orkestër të ketë, aq më shumë përgjegjësi ka puna që të transmetosh atë që do gjatë këngës, me instrumentat e duhur dhe me mënyrën e veçantë të xhirimit.
“Top Fest” vendosi që në edicionin e shtatë të bëhej live. Si ka qenë kjo sfidë për Ergysin?
Ne ishim të rinj, me pasione dhe mbase jo çdo gjë e kemi bërë mirë profesionalisht 100% mirë por kishim vullnet si nga ana e orkestrës ashtu edhe nga ana e teknikës sidomos në Pallatin e Kongreseve që është shumë i vështirë për këndimin live. E morëm me përgjegjësi si sfidë dhe besoj që ja kemi dalë sepse edhe vet reagimi i publikut ka qenë i paparë, biletat shiteshin direkt, njerëzit kishin kuriozitet që të shihnin këngëtarët e preferuar të këndonin live.
Cili ka qenë edicioni më impenjativ për Ergysin?
Edicioni i shtatë sepse ne vinim me disa gjëra të reja. Janë përdorur efektet piroteknike që i kemi gjetur në mënyra manuale sepse nuk ishte teknologjia që është sot sidomos me hedhjen e tymit, fishekzjarreve. U munduam me dritën të ishim ndryshe, dizenjimi të ishte i veçantë. Momentin hapës e kemi bërë me animacion. Janë ato momentet e jetës ku ti ke dhënë gjithë veten tënde për të bërë diçka të mirë. Autorësia e një spektakli është absolutisht puna në grup. Unë e kam shumë të lidhur punën me kameramanët, të cilët kanë një dëshirë të madhe për të nxjerrë gjëra të mira.
Top Albania Radio