Sëmundja “mposht” Celine Dion, këngëtarja anulon përfundimisht turneun botëror!

Këngëtarja e njohur Celine Dion ka njoftuar së fundmi anulimin e të gjithë turneut botëror për shkak të problemit të saj shëndetësor. Ylli i hitit “My Heart Will Go On” tregoi se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar dhe duhet të monitorohet nga ekipi mjekësor, ndaj ajo nuk do të jetë në gjendje të performojë në skenë. Këngëtarja e “I Am Alive” tha:

Më vjen shumë keq që ju zhgënjej të gjithëve edhe një herë. Po punoj shumë për të rikthyer forcën time, por turneu mund të jetë shumë i vështirë. Nuk është e drejtë për ju që të shtyjmë shfaqjet dhe megjithëse më thyen zemrën, është më mirë që të anulojmë gjithçka tani derisa të jem vërtet gati të rikthehem sërish në skenë. Dua që të gjithë ta dini, nuk po dorëzohem dhe mezi pres t’ju shoh përsëri!

Ndërkohë, Celine u kërkoi fansave të saj që të kontaktojnë pikat e blerjes për të përfituar rimbursimin e biletave. Pas postimit të anulimit të saj, fansat dhe ndjekësit komentuan menjëherë duke i shprehur mbështetjen artistes. Rikujtojmë se disa muaj më parë këngëtarja e “Bese You Loved Me” zbuloi se ishte diagnostikuar me çrregullimin e rrallë neurologjik të quajtur sindroma e personit të ngurtë. Gjendja, e cila prek një në një milion njerëz dhe bën që muskujt të tensionohen në mënyrë të pakontrolluar, përfundimisht i lë të sëmurët si ‘statuja njerëzore’ pasi gradualisht e mbyll trupin në pozicione të ngurta, duke i lënë të prekurit të paaftë të ecin ose të flasin.

Top Albania Radio