Sekuestrohet drogë, armë dhe mjete luksoze/ 107 të arrestuar në operacionin e përbashkët Shqipëri-Spanjë-Gjermani, zbulohen 23 shtëpi bari në Madrid

Një mega-operacion anti-drogë është finalizuar me sukses mes Spanjës, Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Në kuadër të operacionit të koduar “Dobra” u shkatërrua një grup kriminal në fushën e krimit të organizuar, dhe u arrestuan 107 persona të dyshuar si të përfshirë në krimin e organizuar në fushën e drogës.

Gjatë këtij megaoperacioni u kryen kontrolle në 51 ambiente, nga të cilat 23 plantacione/shtëpi bari, u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh, 68.760 euro etj.

Dyshohet se grupi kriminal menaxhonte plantacionet e kanabisit në Spanjë ku ata kultivonin dhe përpunonin marijuanën, para se të transferohej në vendet e tjera evropiane për shpërndarje.

Detajet e operacionit u shpalosën gjatë një konference për mediat nga komisari i përgjithshëm i Policisë Gjyqësore të Policisë Kombëtare, Rafael Pérez Pérez, kreu i Divizionit të Hetimit Penal të Korpusit Mossos d’Esquadra, Ramón Chacón, dhe drejtori i përgjithshëm i policisë shqiptare, Ardi Veliu.