Së fundmi pjesë e Netflix, aktori shqiptar tregon eksperiencën me DiCaprio-n dhe Tom Hanks
Aktori i njohur shqiptar, Marko Caka, prej vitesh është pjesë e projekteve kinematografike të Hollywood, duke ndërtuar një karrierë të madhe, me role “të vogla”.
I ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin ‘Kafe Shqeto’, në Syri Tv, ai ka folur më shumë rreth karierës së tij dhe projektit të fundit në Netflix. Po ashtu ai u pyet edhe për rolin në filmin e suksesshëm “Bridges of Spies”. Për mënyrën si u bë pjesë e filmit ai tregoi:
“Tek ky film kam dhënë një audicion, ishin kohët që filluan të hapeshin kamerat e filmave të mëdhenj, mu kërkua një rol i reporterit dhe unë dhashë një audicion dhe pas disa javëve mora një përgjigje pozitive, për të marrë pjesë në këtë film”
Në këtë film ai luan rolin e një reporteri dhe fakti që e ka ushtruar më parë si profesion e ka ndihmuar. Ndërkohë aktori shqiptar tregoi se është një ekperiencë shumë e mirë të jesh në shesh-xhirim me yje të tilla si DiCaprio apo Tom Hanks.
“Ne jemi vazhdimisht në kontakt me yjet dhe eksperiencën e tyre dhe kjo është një ekperiencë që nuk e përjeton shpesh”– u shpreh Caka.
Sa i takon projekte shqiptare dhe nëse është kërkuar nga producentët për ndonjë rol, ai tregoi:
“Të jem i sinqertë nuk kam kontaktuar prej kohësh, kam pasur një kontakt vite më parë, por 5 vitet e fundit nuk kam pasur shumë kontakte”
Kur luan me DiCaprio-n dhe Tom Hanks, ndoshta edhe nuk duhen kontaktet.
/News31