“S’dinë kur ka lindur Skënderbeu, kurse për seksin i dinë të gjitha”, Arjan Korkaj sqaron deklaratën e tij virale për VIP-at e realitetit shqiptar
Arjan Korkaj është këngëtari i talentuar, që edhe pse jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës udhëton herë pas here drejt Shqipërisë për të regjistruar këngë të reja, për koncerte apo për të performuar në programe të ndjekura televizive. I njohur për koncertet plot alegri në programin “Zonë e lirë”, artisti nga Labëria në këtë rrëfim për revista “Story” na zbulon prapaskenat e skenave muzikore mes këngëtarëve dhe gjithçka mendon për personazhet e famshëm si dhe jetën private
Nga Klotilda Harka
Jeton në tokën e ëndërruar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse do të ishe Kostandini i kohëve moderne, për cilin person do i kapërceje vende të panjohura për ta takuar atë në Shqipëri gjallë apo vdekur?
Siç e thatë dhe vetë, në kohët moderne që po jetojmë… Sikur të më thoni se do ndodhte një mrekulli, se do të ringjallej NËNA ime, po. Për të tjerët, jo kurrë. Pasi në këto kohë moderne, sot fatkeqësisht po ndahen edhe familjaret 50-vjeçarë!
Cila është jeta jote aty momentalisht, sa për qind të kohës së vitit e zë muzika dhe sa puna e përditshme?
Kohën më të madhe për mua e zë puna, që unë bëj. Edhe sepse ka rënë në maksimum ç’do gjë, s’është më si më parë, por vetëm puna më ngriti këtu. Sa për muzikën është një pasion që s’e lë dot, sado që them: “S’do këndoj më!”. Koncerte që të rri t’u lutem të tjerëve që i organizojnë dhe të shkoj pothuajse falas, dhe të gjithë të mbushin xhepat e tyre?! Jo, më!
Po punon për këngë të reja, dhe cila janë më të preferuarat për shqiptarët aty, apo me tematikë dashurinë apo për atdhedashurinë?
Po, po përgatitem për disa materiale të reja. Sa për dëshirën e njerëzve, ndonjëherë vërtet kam dyshimet e mia… Mos vallë duan këngë zhurmuese dhe me tekste pa kuptim, apo hidhen kot sipas ritmit dhe asgjë s’kuptojnë?! Sa për këngët atdhetare, hidhen përpjetë vetëm për një këngë, jo më shumë… Se dhe këtu njerëzit janë të ndarë si partitë, ose bëhen grupe e grupe.
Cila nga këngët e tua do të përmendje, kur të pyesin: Për cilën këngë të këndon zemra, dhe për cilën të qan shpirti?
Preferenca ime e sinqertë, pra që më mbush shpirtërisht është balada në përgjithësi, por dhe popullorja me tekst domethënës më pëlqen vërtet shumë.
Popullore apo e lehtë është kënga jote më e preferuar e një kolegu apo kolege në muzikë?
Personalisht kënaqem kur dëgjoj kolege/gë që këndojnë bukur, me shpirt dhe jo për plotësim programesh pa esencë profesionalizmi.
Këngëtarët mes tyre janë miq apo rivalë, dhe çfarë të bën më shumë përshtypje kur ndodh të përballeni në koncerte të ndryshme?
Çfarë më bën përshtypje? Më e rëndësishmja që bie në sy është një xhelozi e tmerrshme, plus jo miqësorë, pra fals kudo. Ndaj do dëshiroja vërtet një ditë të takonim njerëz pa një miqësi të nënkuptuar apo të dyshimtë, por të çiltër dhe dashamirës me njëri-tjetrin!
Arian Çani është rikthyer me emisionin e tij “Zonë e lirë”, tashmë në “Abc News”. Do jesh në emisionin e tij në udhëtimin e radhës këtu, dhe çfarë kolazhi këngësh do të interpretosh kësaj here?
Tek Ariani besoj jam i mirëpritur gjithmonë. E vetmja arsye është se ai kupton se kush e meriton ta reklamojë siç duhet dhe kë tjetër të ftojë për të plotësuar programin e tij, besoj unë! Sa për çfarë kënge do të performoj në emisionin e tij, ende është herët deri në janar 2024 kur të vij. I jam mirënjohës sinqerisht!
Dashurinë është e lehtë ta gjesh në një vend të vogël si Shqipëria, apo në një vend të madh si Amerika. Dhe nëse e gjen, ku është më e vështirë ta mbash, këtu apo atje?
Nëse vërtet ekziston dashuria sot në këto kohë të 2023-shit, dashuria kudo që të jetosh shijohet dhe jetohet me njeriun që të mbush shpirtin, por fatkeqësisht nuk besoj më në këto Përralla & Telenovela… Fatkeqësisht po ndahen familjarë që kanë vërtet rrugë para në çift për të drejtuar fëmijët, dhe jo të ndahen në mosha të mëdha!
Në një intervistë live, je bërë viral për një deklaratë pasi u shprehe se VIP-at shqiptarë, se “s’dinë kur ka lindur Skënderbeu, kurse për seksin i dinë të gjitha”. Çfarë ke parasysh kur shprehesh kështu, dhe në konceptin tënd kush e meriton dhe kush jo termin VIP?
Pyetja ngrihet për njerëzit e thjeshtë, që po konsiderohen vend e pa vend VIP. Nga dolën, dhe si u bënë të njohur, pra VIP?! Nga puna e artit apo nga sherret pa lidhje me fjalor rrugësh?! E nëse këta quhen “artistë”, atëherë gjysma e popullatës gjatë periudhës së PPSH-së, paskan qenë VIP-a me kohë. Por e vërteta është që titullin “artist””, e kanë vetëm të parët tanë, ata dinin ta mbanin atë peshë aq të rëndë, e jo karafilat e sotëm që bastarduan gjithçka nga pasuria që na lanë artistët tanë. Asnjë nga ne sot s’ka lidhje me artistët e vërtetë! Edhe unë vetë s’jam asgjë para tyre, por mundohem të mos prish atë që lanë të parët si art. Kështu që sot VIP-a ka çdo shtëpi nga ne, por artistë asnjë. Kështu llogaritë i bëni vetë, çfarë kishim e çfarë na ngeli….
Ndërkohë puna jote e përditshme në Amerikë është si drejtues kamioni. Po cilat janë mendimet që të vijnë në mendje larg Shqipërisë, ndërsa je në timon?
Mendimet që më kalojnë në kokën time, janë që nuk do doja kurrë më të shikoja bashkatdhetarët e mi të iknin emigrantë në vitin 2023. Pra do të thotë, që vendin tonë e drejton vetëm “Mjerimi i PLOTË”. /www.story.al