Sanço kalon te Junajtid me 3 këste, Dortmundi gjen menjëherë zëvendësuesin
Bisedimet mes Borusias së Dortmundit dhe Mançester Junajtid për transferimin e Xhejdën Sanços në “Old Trafford” kanë marrë kthesën e duhur pasditen e djeshme. Ritmet janë përshpejtuar në orët e fundit dhe siç raporton “Bild”, gjermanët janë të gatshëm që të pranojnë 108 milionë paundët (120 milionë euro) e ofruar nga “Djajtë e kuq”, ndonëse me 3 këste, por me kushtin që gjithçka të firmoset brenda datës 10 gusht.
Për kartonin e sulmuesit 20-vjeçar Dortmundi nuk lëvizi kurrsesi nga qëndrimi për të kërkuar 120 milionë eurot për talentin ishullor, i cili sezonin e shkuar shënoi 17 gola dhe dha 17 asiste në 32 ndeshje të Bundesligës. Por më në fund, akordi është arritur dhe Mançester Junajtid do e paguajë atë me 3 këste: 63 milionë paund menjëherë, 27 milionë verën e ardhshme (2021) dhe 18 milionë paund të tjerë në 2022-shin. Por në pritje që të vijnë firmat mes Sanços dhe Junajtid, Dortmundi është hedhur menjëherë në sulm për të zëvendësuar 20-vjeçarin.
Emri i vënë në shënjestër nga gjermanët është ai i holandezit, Memfis Depai. Sulmuesi që luan me Lionin, i cili ka kaluar edhe dëmtimin e rëndë të pësuar dhe do të jetë në fushë me Juventusin, të premten në mbrëmje, kushton 40-50 milionë euro. Kjo shifër pritet të paguhet nga Borusia, e cila do të kërkojë që me Depain dhe Halandin të formojnë atë dyshen ofensive, me të cilën do provojnë të shkurorëzojnë Bajernin e Mynihut.
PANORAMASPORT.AL