Salsano Rrapi martohet ditën e tij të lindjes me aktoren, fotot nga ceremonia
Ditën e djeshme aktori dhe moderatori Salsano Rrapi ka festuar ditëlindjen e tij më të veçantë të cilën me siguri që do e mbaj mend gjatë. Kjo pasi kjo datë shënon tashmë edhe datën e martesës së tij me aktoren Erjona Kakeli. Çifti prej vitesh jetojnë një histori të bukur dashurie dhe janë prindër të dy vajzave, por dasmën e kanë zhvilluar vetëm së fundmi. Në fakt e gjitha ishte ideuar në formë surprize për Salsanon nga partnerja e tij. E veshur me fustan të bardhë Erjona u shfaq para njeriut të saj të zemrës. Nga pamjet e publikuara në rrjet, krah çiftit shihen edhe dy vajzat e tyre të vogla, që e kanë bërë edhe më emocionuese dhe të veçantë ceremoninë. Ato ishin edhe shoqërueset e nuses, të cilat mbanin edhe unazat e prindërve të tyre në duar. Erjona zgjodhi një ceremoni të thjeshtë të zhvilluar në plazh ku të ftuar ishin miq dhe të afërm të tyre të cilët kanë ndarë më ndjekësit pamje nga dasma.
Para disa kohësh, e ftuar në një emision televiziv, për herë të parë, aktorja ka zbuluar se Salsano i ka realizuar një propozim romantik për martesë në Dhërmi. “Shkuam hëngrëm atje, në një moment zbresim poshtë kisha edhe gocën me karrocë dhe shohim vendin që ishte realizuar për një propozim. I them: ‘Po gjynah si i kanë lënë këtu këto mbeturina’. Ndëkohë Salsano më thotë: ‘Mos më prish surprizën’. Unë s’po kuptoja asgjë. Ai ulet dhe më propozon”, tha Erjona asokohe, teksa më në fund ata janë kurorëzuar.
Kujtojmë se dy aktorët janë njohur vite më parë në teatrin “Skampa” dhe luajtën bashkë “Kolonel Zogu”, ku Erjona ishte e vetmja aktore femër. Ata nisën të bashkëjetonin para se të bëheshin prindër, duke qenë gjithnjë shumë të rezervuar për jetën private. Aktualisht, Salsano vazhdon të jetë pjesë e “Portokalli” si aktor e moderator, kurse Erjona është pjesë e “Kosherja show”.
/News31