Saimir Kodra flet për herë të parë pas deklaratës së Egla Cenos
Saimir Kodra, në hyrje të emisionit “STOP”, ka folur për herë të parë pasi Egla Ceno u shpreh se ai i ka kërkuar para shumë vitesh të kryenin marrëdhënie seksuale në këmbim të një vendi pune.
“Do bëj një reagim shumë të shkurtër. Zonja që ka dhënë një deklaratë të tillë ka kaluar gjithë kompetencat e një reality show, duke përmendur një person që nuk është aty (prezent). Nuk dua t’i përgjigjem asaj, sepse e vetmja përgjigje për këtë aktore të dobët në një skenar po aq të dobët në atë reality show…do të jepet në gjykatë, ku unë do të jap argumentet e mia. Nga sot, kjo deklaratë e saj është një gjykatën penale”.
Më tej, pasi ia ngatërroi mbiemrin, Kodra tha: “Ajo ka barrën e provës për të mbledhur gjithë materialet që të vërtetojë që këtu e 25 vjet përpara, (unë) jo me këtë mjekër dhe jo me këto syze, i kam kërkuar afera seksuale në këmbim të një pune”.
Ai theksoi se kanë qenë moshatarë.
“Unë s’di të kem punuar ndonjëherë as drejtor i burimeve njerëzore që të punësoja njerëz, as recepsionist. Kam qenë moderator i thjeshtë i një emisioni që quhej “Radio Mania”. Është vënë në mes dinjiteti njerëzor. Kjo është një çështje penale për zonjën, por edhe për televizionin ku ajo e ka thënë atë deklaratë”.
Saimiri risolli edhe vitet kur punonte në “Radio Mania”, ku tregonte kolegët me radhë, duke shtuar se ai nuk mund të merrte në punë njerëz. Kodra përsëriti se Egla është një “aktore e dobët” e cila po luan një skenar të rëndomtë dhe të pistë.
“Për sa kohë gjykata do të flasë, unë nuk do të merrem më dhe për më tepër, të harxhoj minutat e shtrenjta të këtij emisioni, i cili flet për hallet dhe shqetësimet e njerëzve. Kam qenë dhe do të jemi gjithnjë krah grave që dhunohen, bullizohen, molestohen dhe ngacmohen seksualisht, me fakte dhe me prova, siç kemi bërë gjithmonë”.
Reagimi i tij vjen pasi Egla Ceno, në një bisedë me Julia Ilirjanin akuzoi Saimir Kodrën, duke i përmendur thjesht mbiemrin dhe ka nënkuptuar se ai i ka kërkuar favore seksuale në këmbim të një pune. Egla u shpreh se ishte ende studente në Akademinë e Arteve kur ka ndodhur kjo ngjarje.
Anabelmagazine